Izraeli është “shtet kolonial i aparteidit”, themelet e të cilit janë ndërtuar mbi “spastrimin etnik” dhe pushtimin e paligjshëm të tokave palestineze, vlerëson politikani irlandez, Richard Boyd Barrett.
“Çështja e Izraelit është si shtet që nga viti 1948, (ai) është ndërtuar mbi spastrimin etnik, mbi terrorizmin kundër popullit palestinez, mbi pushtimin e paligjshëm të territorit palestinez, mbi vjedhjen e vazhdueshme të tokës palestineze, dëbimin e popullit palestinez nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre”, tha për Anadolu, Barrett, deputet i partisë “Njerëzit përpara Fitimit” (People Before Profit).
Ai tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, në të cilat janë vrarë rreth 11.300 palestinezë, përfshirë mbi 7.700 gra dhe fëmijë dhe janë plagosur rreth 29 mijë të tjerë, është “gjenocid” përplot me “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar palestineze që nga 7 tetori.
Sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vrarë është 1.200. “Kjo është logjika e një shteti kolonial të aparteidit dhe nuk ka vend në botën e qytetëruar”, tha ai.
“Vështirë është të shohësh vdekjen dhe shkatërrimin, masakrën që Izraeli po i bën të gjithë popullsisë së Gazës. Këto janë krime lufte. Këto janë krime kundër njerëzimit. Ky është gjenocid. Ky është spastrim etnik”, tha Barrett.
Duke kritikuar liderët perëndimorë për qëndrimin e tyre në favor të Izraelit, Barrett tha se ata “po përpiqen të gënjejnë njerëzit sepse e dinë se Izraeli ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër popullit palestinez”.
“Ata e dinë. Por, ata kanë zgjedhur të mos e ndëshkojnë Izraelin sepse u shërben interesave perëndimore”, tha ai.
“(Presidenti i SHBA-së) Joe Biden e bëri shumë të qartë këtë në komentet që bëri disa vite më parë, ku tha se: ‘Nëse Izraeli nuk do të ekzistonte, SHBA-ja do ta shpikte atë’. Kjo është lidhja e vërtetë. Fuqitë e mëdha perëndimore përdorin dhunën e Izraelit për të nënshtruar popullin palestinez dhe për të kontrolluar këtë rajon dhe ne duhet të kundërshtojmë këtë”.
– “Të mbështesim rezistencën palestineze dhe të ndërtojmë lëvizje solidariteti”
Barrett përshëndeti lëvizjet masive pro-palestineze në të gjithë botën, duke thënë se mizoritë e Izraelit dhe mbështetja e Perëndimit për këtë “do të ndalet vetëm kur të detyrohet të ndalet”.
“Ne duhet të ndërtojmë urgjentisht dhe po ndërtojmë një lëvizje për të mposhtur qeveritë tona lidhur me komplotimet e turpshme me krimet që Izraeli po kryen. Kur qeveritë e justifikojnë këtë, neve nuk na duhen më si qeveri. Ne kemi nevojë që njerëzit të ngrihen, siç janë ngritur në mbarë botën”, tha ai.
Deputeti irlandez theksoi se njerëzit duhet të vazhdojnë të rrisin presionin mbi qeveritë e tyre, duke kërkuar nga ata “dëbimin e ambasadorëve izraelitë, sanksione kundër shtetit që kryen këto mizori, arrestimin e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu dhe bandën e tij kriminelësh”.
Të gjitha këto veprime, theksoi ai, janë kritike për të “penguar fizikisht aftësinë e Izraelit që të kryejë këto krime lufte kundër popullit të Gazës”.
“Kështu u rrëzua aparteidi në Afrikën e Jugut, populli algjerian u çlirua nga kolonializmi, irlandezët u çliruan kryesisht nga sundimi kolonial britanik. Kjo mund të bëhet, por kushdo në botë që beson në mirësjellje, drejtësi dhe respekt duhet të qëndrojë me popullin palestinez në këto orë të errëta”, tha Barrett.
Ai tha se është e domosdoshme që t’u shpjegohet realiteti i situatës “njerëzve të zakonshëm në Perëndim, sepse shumica e njerëzve janë të tmerruar nga kjo”. “Ne duhet të shpjegojmë të vërtetën e këtij shteti të aparteidit, të këtij shteti kolonial dhe të ndërtojmë një lëvizje që do të zhdukë nga pushteti qeveritë që justifikojnë këto krime lufte dhe këto mizori”, tha Barrett.