Me përcjellje të Policisë së Kosovë është dërguar në gjykatë, ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq, i dyshuar për spiunazh.
Sot Gjykata Themelore pritet të vendosë për kërkesën e Prokuroria Speciale të Kosovës për paraburgim.
Prokuroria të enjten ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit.
Vlajiq u arrestua të mërkurën mbrëma pas hetimeve disamujore të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës.
Portali i TV Dukagjini ka raportuar të enjten se AKI zbuloi se i arrestuari kishte krijuar një rrjet spiunazhi në Kosovë, dhe të rekrutuarit e tij kanë qenë kryesisht qytetarë serb të cilët kanë punuar në organizata ndërkombëtare në Kosovë.
Aleksandër Vlajiq ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me shefin e qendrës së BIA-s në Novi Pazar, Ratko Gajtanovic, të cilin e ka informuar në vazhdimësi për zhvillime të sigurisë në veriun e Kosovës, thotë raportimi. Po ashtu, mësohet se Vlajiç ka zbuluar emrin e një zyrtari të AKI-së dhe e ka dërguar tek BIA, derisa një gjë të tillë e ka mësuar gjatë takimeve derisa ka qenë zyrtar i Policisë së Kosovës.
Vlajiç kishte qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për pjesëmarrjen në grupin terrorist që sulmuan zyrat e KQZ-së në veri, dhjetorin e vitit 2022. Madje, për rastin në fjalë, një vit më vonë, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Vlajiq dhe tre të akuzuarve tjerë ish-policit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq i njohur si “Llune” dhe Miomir Vakiq.