RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Deri në 54 gradë! Si mbijetohet në qytetin ku nxehtësia bëhet e padurueshme

deri-ne-54-grade!-si-mbijetohet-ne-qytetin-ku-nxehtesia-behet-e-padurueshme

Ajo që po ndodh në Basra të Irakut, është një paralajmërim për Evropën

Imagjinoni të zgjoheni në mes të natës dhe termometri në shtëpi të tregojë 40 gradë. Kondicioneri nuk funksionon, ajri jashtë është i padurueshëm, Dhe kjo nuk është një situatë e jashtëzakonshme, por normaliteti.

Kjo është jeta në Basra, në jug të Irakut, pranë Gjirit Persik dhe përgjatë Shatt Al-Arab, ku bashkohen Tigri dhe Eufrati. Në korrik, temperaturat mund të kalojnë 50 gradë.

Në vitin 2025, zona e Basrës shënoi rekordin e frikshëm: 53.9 gradë Celsius, ndër temperaturat më të larta të regjistruara në një qytet të madh të banuar.

Por problemi nuk është vetëm temperatura. Është kombinimi i vapës ekstreme me lagështirën, thatësirën, kripëzimin e ujit dhe një rrjet elektrik të brishtë.

Gjatë valës së të nxehtit në vitin 2025, kur temperaturat iu afruan 54 gradëve, sistemi kombëtar elektrik pësoi kolaps. Pati viktima, ndërprerje të energjisë dhe presion të madh mbi shërbimet jetike.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe irakiane u detyruan të shpërndanin ujë dhe të ndihmonin në rikthimin e sistemeve të ujësjellësit në spitale, shkolla dhe komunitete rurale.

Kur mungon energjia, kondicioneri nuk të shpëton

Në Basra, kondicioneri është praktikisht një mjet mbijetese. Por ai kërkon energji elektrike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, humbjet në transmetimin e energjisë në Irak arrijnë në 50-60 për qind.

Ndërkohë, vendi po ngrohet me ritëm të shpejtë. Nga viti 2000 deri në vitin 2023, temperaturat u rritën mesatarisht me 0.48 gradë në dekadë.

Krijohet kështu një rreth vicioz: sa më shumë rritet temperatura, aq më shumë përdoren kondicionerët; sa më shumë rritet konsumi, aq më shumë rëndohet rrjeti; dhe sa më i madh bëhet presioni, aq më i lartë është rreziku i ndërprerjeve.

Për këtë arsye, jeta në Basra është zhvendosur drejt orëve më të freskëta. Njerëzit fillojnë punën herët në mëngjes dhe aktiviteti ekonomik ngadalësohet pas mesditës, për t’u rikthyer në mbrëmje. Por edhe kjo strategji ka një kufi: nëse netët vazhdojnë të ngrohen, zhduket edhe ajo pak kohë pushimi nga nxehtësia.

Kriza tjetër është uji

Shatt Al-Arab, dikur burim jete për bujqësinë, palmat dhe tregtinë e qytetit, po bëhet gjithnjë e më i kripur. Rënia e prurjeve të Tigrit dhe Eufratit lejon që uji i Gjirit të depërtojë më tej në lumë.

Pasojat prekin edhe ekonominë lokale. Në vitin 2025, Reuters raportoi humbjen e më shumë se 2 mijë koshereve bletësh dhe rënien drastike të prodhimit të mjaltit. Bletët kanë nevojë për ujë të pastër, dhe mungesa e tij po shkatërron një pjesë të ekonomisë tradicionale të zonës.

Edhe spitalet vuajnë. Në spitalin Al Fihaa, furnizimi i qëndrueshëm me ujë të ëmbël është thelbësor edhe për funksionimin e sallave të operacionit. Në zonat rurale, situata është edhe më e vështirë.

Disa komunitete varen nga autobotet dhe impiantet e shkripëzimit për të siguruar ujë të përdorshëm. Një impiant i mbështetur nga Gjysmëhëna e Kuqe irakiane, Bashkimi Evropian dhe Kryqi i Kuq norvegjez furnizon rreth 500-600 familje.

Si mbijetohet në 54 gradë?

Përgjigjja nis me gjëra themelore: ujë, informacion për shenjat e goditjes nga nxehtësia, mbrojtje për punëtorët në terren dhe kujdes për të moshuarit e personat më të rrezikuar. Gjysmëhëna e Kuqe organizon fushata për shitësit ambulantë, ndërtuesit, fermerët dhe policët e trafikut.

Edhe pemët kanë rëndësi. Hijet janë një nga mbrojtjet më të thjeshta dhe më pak energji-intensive ndaj temperaturave ekstreme. Por as ato nuk mjaftojnë.

Basra tregon kufirin e asaj që mund të bëjë përshtatja ndaj klimës. Në qytetet evropiane flitet për pyje urbane, rrugë të freskëta dhe hapësira të gjelbra.

Në Basra, beteja është më themelore: të sigurohet që spitali të ketë ujë, rrjeti elektrik të mos shembet, punëtorët të mbrohen nga nxehtësia dhe familjet të kenë ujë të pijshëm.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në një skenar me emetime të larta të ndotjeve në atmosferë, temperatura mesatare e Irakut mund të rritet edhe me 5.6 gradë deri në fund të shekullit.

Atëherë përshtatja nuk do të jetë më thjesht çështje urbanistike. Do të jetë çështje shëndeti, uji, energjie, pune dhe varfërie.

Basra nuk e ka mposhtur vapën. Ajo ka mësuar të organizojë jetën rreth saj. Dhe pikërisht kjo e bën shembullin e saj shqetësues edhe për Evropën. Ajo që sot duket ekstreme mund të bëhet nesër norma rreth së cilës ndërtohet e gjithë jeta e një qyteti. tesheshi

Related posts

Sulm me armë zjarri në Los Anxhelos, 10 të vrarë

admin

Lirimi i tre policëve, Sveçla e quan lojë të Serbisë

admin

Skandal: Vuçiq, Vulin dhe Dodik festojnë me këngë nacionaliste derisa në Kosovë vazhdojnë gërmimet për varreza masive

Irfan Jahiu