RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Deri në 600 mijë armë në duart e qytetarëve të Kosovës, eksperti i sigurisë ngre alarmin

deri-ne-600-mije-arme-ne-duart-e-qytetareve-te-kosoves,-eksperti-i-sigurise-ngre-alarmin

Në Kosovë vazhdojnë të shënohen plagosje, vrasje e krime të rënda të natyrave të ndryshme. E, për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve. Ndërsa, Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.

Fadil Kajtazi në një prononcim për Telegrafin tha se bazuar në shifrat e publikuara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare në duart e qytetarëve ndodhen nga 400 deri në 600 mijë armë, e të cilat sipas tij përbëjnë një shqetësim.

Sipas tij, është momenti i fundit që qytetarët e Kosovës të përballen me këtë problem.

“Pa hyrë për të komentuar shifrat e publikuara nga organizata vendore dhe ndërkombëtare se në duart e qytetarëve të Kosovës ndodhen nga 400 deri në 600 mijë armë, por duke i analizuar armët e konfiskuara qoftë nga Policia e Kosovës qoftë nga KFOR-i, e të cilat janë publikuar nga mediat e shkruara dhe elektronike, për ne, si shoqëri, ka vend për shqetësim të thellë dhe është momenti i fundit që të merremi me këtë problem në mënyrë që të mos na ndodhin raste si ai i adoleshentit ferizajas”, ka thënë ai.

Siç vlerësoi Kajtazi në dorë të popullatës së Kosovës ndodhet armatim tepër i sofistikuar dhe me efekte të shkatërrimit të lart.

“Nga ajo që shihet në publikimet e bëra në media, në dorë të popullatës së Kosovës ndodhet armatim tepër i sofistikuar dhe me efekte të shkatërrimi të lart. Gjatë aksioneve të policisë është konfiskuar armatim i të gjitha llojeve dhe kalibrave duke filluar nga pistoletat miniaturale e deri te mitralozët e rëndë”, ka thënë ai duke shtuar se “E gjithë kjo llojshmëri armësh për nga karakteristikat tekniko-taktike bën pjesë në grupin e armëve me mundësi të madhe të hapjes së zjarrit dhe përdorimi i tyre eventual nga persona të papërgjegjshëm në hapësirat publike do të shkaktonte viktima që i tejkalojnë ato çfarë po shohim këto vitet e fundit nëpër shkollat amerikane dhe rasti i vitit të kaluar në Gjermani”

Ndërsa, sa i përket publikimeve të bëra nga institucionet shëndetësorë, eksperti i sigurisë thotë se “flasin për rritje të personave të cilët vuajnë nga traumat dhe sëmundje që bëjnë pjesë në grupin e atyre depresivë”.

“Publikimet e bëra nga institucione shëndetësore flasin për rritje të personave të cilët vuajnë nga traumat dhe sëmundjet, si pasoj e tyre, që kryesisht bëjnë pjesë në grupin e atyre depresivë e që në masë të madhe janë determinuar nga lëndimet që ka shkaktuar lufta, gjendja ekonomike e rënduar dhe nga përdorimi në rritje i konsumimit të narkotikëve nga ana e adoleshentëve. Edhe sikur të përjashtohet mundësia e përdorimit të këtij arsenali nga grupe kriminale, për shkak të përhapjes në masë të armatimit, apo për shkak të ardhjes së lehtë deri te ai, përdorimi aksidental i tyre nga persona me probleme shëndetësore dhe të atyre me probleme të ndryshme sociale, do të shkaktonte dëme të papara”, potencoi ai.

Mirëpo, siç tha Kajtazi ajo që shton rrezikun edhe më shumë në ambientet publike dhe private është posedimi i eksplozivëve, mjeteve plasëse si dhe lansues të tyre nga qytetarët e Kosovës.

Nga publikimet e bëra nga policia, Kajtazi thekson se shihet prania e madhe e tyre si dhe ka mjaft raste kur këto mjete janë përdorur dhe me pasoja të humbjes së jetës së kalimtarëve të rastit.

“Mbajtja nëpër ambiente banimi të mjeteve plasëse apo edhe eksplozivit klasik, paraqet rrezikshmëri tepër të lart. Ky rrezik konsiston në atë se një pjesë e madhe e tyre (siç janë bombat e dorës) janë të konstruktuara në atë mënyrë që aktivizimi i tyre është shumë i lehët dhe atë mund ta bëjnë edhe fëmijët e vegjël në lojë e sipër”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Kajtazi thotë se pjesa tjetër e armatimit që paraqet burim të rrezikimit të gjendjes së sigurisë të përmasave më të gjëra është ai të cilën ushtria serbe ua ka lënë serbëve lokal e që një pjesë e madhe kanë qenë të mobilizuar gjatë viteve 1998-1999.

“Ky armatim përpos që mund të përdoret për qëllime të ndryshme subversive, ai njëkohësisht krijon mundësi të mira tregtimi dhe për nga lloji dhe kualiteti, mund të përdoret edhe për aksione nga grupe të ndryshme terroriste. Kapja nga policia shqiptare më 2005 të dy raketave vetëdirigjuese me rreze infra të kuqe Strela 2M të prodhimit jugosllav është dëshmia që vërteton këtë. Në mënyrë që të shmangen katastrofat eventuale nga armët që ndodhën në duart e personave të paautorizuar, përpos që duhet shtuar efikasiteti i organeve policore dhe gjyqësore, është më se e domosdoshme që në afatin sa më të shpejt Qeveria e Kosovës të procedojë në parlament ligjin për armët, i cili në njëfarë forme do të jetë pikënisje për zgjidhjen e këtij problemi kaq të mprehtë dhe të nevojshëm për jetë të sigurt në shtetin e ri të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, janë katër kategori të qytetarëve të cilët mbajnë armë ilegale.

Ai theksoi se ka qytetarë të cilët i mbajnë armët e trashëguar brez pas brezi, ata që ndihen të kërcënuar, ata të cilët kanë mbetur pronar të armëve të cilat i kanë përdorur gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ka qytetarë sipas tij që i mbajnë armët për zhvillimin e aktiviteteve kriminale.

“Në kategorinë e parë do të fusja të gjithë ata që armën e mbajnë si trofe të trashëguar brez pas brezi ose të fituar edhe në forma të ndryshme (pjesëtarët e UÇK-së), por që në mungesë të ligjit nuk mund ta legalizojnë, ndërkohë që dorëzimi i armës të organet kompetentë dhe shkatërrimi i saj për këtë kategori është i papranueshëm pasi që poseduesi ka një lidhje emocionale me armën. Ndonëse poseduesit e kësaj kategorie janë pjesa që më së paku mund t’i përdorin për qëllime kriminale, prapë se prapë, edhe këto armë janë burim potencial i rrezikut për shkaktimin e veprave të rënda penale.

– Në kategorinë e dytë përfshihen personat të cilët, për qëllime të ndryshme, ndihen të kërcënuar dhe në forma të ndryshme kanë arritur të furnizohen me armë.

– Në kategorinë e tretë përfshihen persona të cilët në forma të ndryshme kanë mbetur pronarë të stoqeve të armatimit të përdorur gjatë luftës së fundit.

– Dhe në kategorinë e fundit, përfshihen persona të cilët armët i mbajnë me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve kriminale”, ka thënë ndër të tjera Kajtazi për Telegrafin.

Ndërkaq, dy ditë më parë u bë hapja e kampanjës “Çdo plumb ka një shënjestër – Festo me zemër, jo me armë”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.

Ai po ashtu tha se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për Kosovën, duke treguar se Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë pa leje të llojeve të ndryshme.

Gashani tregoi se Policia e Kosovës ka avancuar me sukses në konfiskimin e armëve.

“Gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1.280 armë dhe 42.031 municion i kalibrave të ndryshëm në krahasim me vitin 2020 ku janë konfiskuar 1.135 armë dhe 32.742 rrathë municioni të kalibrave të ndryshëm”, tha ai të enjten.

Ndërsa, Niels Knudsen nga UNDP tha se pothuajse çdo ditë po shënohen incidente që vijnë nga përdorimi i armëve.

“Qarkullimi i këtyre armëve janë ato që shkaktojnë dhunën dhe pabarazinë. Për shkak se siguria ka një ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm. Armët pa leje paraqesin një rrezik për familjen dhe popullatën. Veprat penale bëhen përmes përdorimit të armëve. Momentin që shkrepet një armë, plumbi e ka një cak”, ka thënë ai.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2018 Ministria e Punëve të Brendshme pati marrë vendim që të legalizoj armët.

Shpallja e periudhës së legalizimit të armëve ishte 6 mujore. Sipas MPB-së, gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar 2000 kërkesa për legalizim.

Ligji për armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjetra. Armët ndahen në kategorinë A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj.

Që një person të posedojë armë, sipas ligjit, duhet të posedojë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës e shumë kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Related posts

Fluks i lartë turistësh, 1.7 milionë hyrje vetëm për muajin korrik

rezart morina

Putin nënshkruan dekretin për të rritur numrin e forcave ushtarake ruse

admin

Gjermania: Pauza humanitare në Gaza është jetike

admin