RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

DHTIK: Kriza politike dhe zgjedhjet po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë kosovare

dhtik:-kriza-politike-dhe-zgjedhjet-po-krijojne-pasiguri-serioze-per-ekonomine-kosovare

Kriza politike në vend dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës, duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Kështu u tha në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) me komunitetin e biznesit, të shtunën.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi dhe Kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj,

theksuan se përkundër sfidave të shumta me të cilat u përball Kosova që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka qenë vazhdimisht aktive në adresimin e sukseseve dhe problemeve të sektorit privat.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, theksoi se zgjedhjet e shpeshta po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”, deklaroi ai.

Në këtë takim, përfaqësues të bizneseve shpalosën sfidat me të cilat po përballen, duke përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, importin e madh, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat e shumta në vendimmarrje.

Ata nënvizuan rolin e DHTIK-së si një zë i fuqishëm i bizneseve që lobon për zgjidhje konkrete, propozon politika lehtësuese dhe ndërmjetëson komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

Në takim u potencua edhe rëndësia e krijimit të një stabiliteti politik si parakusht për zhvillim ekonomik, e po ashtu edhe nevoja për vendime të shpejta dhe të qëndrueshme.

Të pranishmit u dakorduan që të intensifikohet komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, me qëllim të adresimit më efektiv të sfidave dhe mbrojtjes së interesave të komunitetit të biznesit në këtë periudhë sfiduese.

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja më 7 qershor për shkak se politika dështoi ta zgjedh presidentin e shtetit, deri më 28 prill, siç e kërkonte Kushtetuta . Këto janë votimet e treta nacionale që mbahen në vend, nga shkurti 2025. I gjithë viti i kaluar u shoqërua me një ngërç politik, për shkak të pamundësisë së politikës që të gjejë një zgjidhje për ndërtimin e institucioneve.

Situatat si këto e dëmtojnë ekonominë. Dhoma e Tregtisë, por edhe odat tjera ekonomikë kanë bërë thirrje gjatë gjithë kohës për stabilitet politik, i cili garanton edhe operim normal të ekonomisë.

Related posts

Kancelari gjerman: Kina synon të porosisë deri në 120 avionë nga Airbus

admin

Angelina Jolie ndan foton simbol të tërmetit, bën thirrje për donacione për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Muhamet Ramadani

Tërbimi i Netanyahu-t me pamjet që nuk do donte që bota t’i shihte

Muhamet Ramadani