Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua interpelanca në lidhje me “platformën politike të Qeverisë shqiptare, për hapat e ndërmarrë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës në drejtim të njohjes e dënimit ndërkombëtar të gjenocidit e pastrimit etnik serb në Kosove, në vitet 1998-1999”, raporton Anadolu.
Interpelanca u kërkua nga deputeti i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Tritan Shehu, me Kryeministrin Edi Rama, e cila në mungesë të Ramës iu delegua ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Deputeti Shehu kërkoi shpjegime mbi platformën politike të Qeverisë së Shqipërisë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës, sipas tij “kryesisht për gjenocidin serb”.
Në fjalën e saj, Spiropali tha se Shqipëria po dëshmohet si faktor i zëshëm dhe i pashmangshëm në rajon për dëshmitë shtetformuese që tregon dhe rakordimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Në Kosovë e për Kosovën, kjo ka qenë kryefjalë e politikës sonë të jashtme. Drejtësia ka shumë rrugë për të çuar te e vërteta shqiptaro-shqiptare. E gjithë politika, shqiptarët e kanë përjetuar në lëkurë masakrën në përmasat e një gjenocidi. S’kemi dyshime për këtë. Por që të kthehet në rezolutë duhet të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kjo e fundit s’ka munguar kurrë për Kosovën. Ishte pranimi i këtij gjenocidi që justifikoi sulmet e NATO-s”, theksoi Spiroapli.
Ajo tha se ndërkohë diplomacia shqiptare vazhdon lobimin e saj në botë, të koordinuar me Prishtinën zyrtare, për të bërë të njohur faktet se çfarë ndodhi në Kosovë në vitet 1998 -1999.
“Shqipëria, por edhe Kosova është më e madhe se një përplasje elektorale. Shqiptarët në Tiranë a Prizren, në Prishtinë a Korçë, Shkodër, Gjakovë, Pejë a Gjirokastër, janë shumë më të rëndësishëm se çdo sprovë elektorale dhe shumë më të rëndësishëm sesa çdo fat i përveçëm në politikë”, u shpreh Spiropali.
Gjithashtu Shehu u shpreh se prej vitesh “mazhoranca parlamentare ka bllokuar një iniciativë të opozitës për njohjen dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe se qeveria duhet të mbajë një qëndrim të përgjegjshëm për të ndihmuar Kosovën”.