Kritikat janë ndonjëherë të rënda dhe na targetojnë ndjesi të ndryshme, që nga sikleti, turpi, e deri tek inati. Gjithsesi, nuk ka arsye pse të nxehemi nga kritikat që bëhen me vend dhe nga njerëz tek të cilët ke besim, madje, mund të përfitosh nga kritikat për t’u përmirësuar.
Këto janë disa nga aspektet pozitive të kritikave:
Kritika mund të rrisë ndërgjegjësimin dhe dëshirën për t’u zhvilluar më tej – Personi që të kritikon mund të ketë në lupë aspekte dhe detaje të cilat ende s’i ke vënë ende re, apo të prekë njohuri që ende nuk i ke. Duke ua vënë veshin kritikave, ti do të bëhesh edhe më i/e aftë në punën tënde.
Fiton avantazh ndaj të tjerëve – Kjo aplikohet në vendin e punës. Ti mëson nga kritikat, i vë synime vetes dhe përmirësohesh, duke shkuar në avantazh ndaj të tjerëve.
Nëse ke një mangësi në performancën në punë, kritika mund të të ndihmojë të korrigjosh veten dhe gabimet që mund të kesh bërë në të shkuarën.
Dallon pikat e tua të dobëta – Në jetë, me ose pa vetëdije, të gjithë ne kemi zakone të këqija, të cilat në shumë raste mund të mos i vëmë re. Një person i jashtëm na sheh me më shumë detaje dhe është më i ftohtë në gjykimet që jep.
Në mënyrë indirekte, kritikat mund të të bëjnë njeri më empatik dhe tolerant – Falë kritikave, mund të forcohen marrëdhëniet mes njerëzve dhe të bëhesh një person më i vetëdijshëm për kufijtë, dëshirat dhe pritshmëritë e të tjerëve. Nëse kritikat vijnë nga partneri, do të të ndihmojnë të krijosh një raport më të sigurt, të besueshme dhe intime.