Disa persona, përfshirë fëmijë, u vranë kur një person i armatosur hapi zjarr në një shtëpi në shtetin amerikan Montana, thanë autoritetet të hënën, transmeton Anadolu.
Policia e përshkroi incidentin e së dielës në mbrëmje pranë lagjes West End në qytetin Billings si një konflikt familjar.
Personi i armatosur vdiq nga një plagë e shkaktuar vetë me armë zjarri pasi i vuri zjarrin shtëpisë, raportoi të hënën NBC.
Sherifi i përkohshëm i qarkut Yellowstone, Kent O’Donnell, tha të hënën se në banesë kishin vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”.
Të vdekurit janë identifikuar, por numri, emrat dhe moshat e tyre ende nuk janë bërë të ditura.
“Për shkak të zjarrit dhe, natyrisht, ujit që përdoret për shuarjen e tij, rikuperimi i provave në vendin e ngjarjes do të ngadalësojë hetimin tonë. Prandaj kërkojmë durim ndërsa përfundojmë këtë hetim”, tha ai.
O’Donnell tha se policia reagoi ndaj një të shtëne me armë në White Star Circle pasi një telefonues në numrin 911 raportoi se kishte dëgjuar të shtëna.
Oficerët mbërritën rreth 10 minuta më vonë dhe dëgjuan të shtëna nga pjesa e pasme e shtëpisë. Tre minuta më pas, banesa ishte përfshirë plotësisht nga flakët.
Zjarrfikësit u dërguan në vendngjarje, por thuhet se u përballën me qasje të kufizuar në ujë dhe me më pak hidrantë nga sa do të ishte ideale.
“Vonesa për shkak të qasjes së kufizuar paraqiti sfida të mëdha, kushtet e zjarrit vazhduan të përkeqësoheshin dhe banorët përfundimisht u … përfshinë nga zjarri”, tha të hënën shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel.
Shkaku i zjarrit mbetet nën hetim.

