RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Droni turk Akıncı kthehet në Turqi pas misionit të tij për gjetjen e rrënojave të helikopterit të presidentit iranian

droni-turk-akinci-kthehet-ne-turqi-pas-misionit-te-tij-per-gjetjen-e-rrenojave-te-helikopterit-te-presidentit-iranian

Droni turk Akıncı, që lokalizoi rrënojat e helikopterit që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe delegacionin e tij, u kthye në Turqi, raporton Anadolu.

Përpara se të ulej në bazën e tij, droni përshkroi në ajër formën e gjysmëhënës dhe yllit, flamurit turk.

Në aplikacionin FlightRadar24 shihet se droni Akıncı përfundoi me sukses misionin e tij në Iran dhe u kthye në shtëpi, ndërsa përshkroi gjysmëhënën dhe yllin në rrugën në qiell përpara se të ulej në bazën e tij në Van.

Droni Akıncı, të cilin Turqia e caktoi për aktivitetet e kërkimit pas rrëzimit të helikopterit që transportoi presidentin dhe disa zyrtarë iranianë, zbuloi burimin e nxehtësisë që vlerësohej se mund të ishin rrënojat e helikopterit si dhe ndau koordinatat e tij me autoritetet iraniane.

Pas përcaktimeve të dronit Akıncı, Gjysmëhëna e Kuqe iraniane njoftoi se kishin gjetur vendndodhjen e rrënojave të helikopterit me të cilin transportohej presidenti Raisi.

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se në vendin e rrënojave të helikopterit nuk kishte shenja jete.

– Mijëra persona ndoqën dronin Akıncı

Presidenti Raisi dje mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një dige në kufirin Iran-Azerbajxhan, duke udhëtuar me helikopter.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se aksidenti ndodhi kur helikopteri i Raisit bëri një ulje të vështirë ndërsa kthehej nga rajoni; Gjithashtu në helikopter ishin edhe Ministri i Punëve të Jashtme Hossein Amir-Abdollahian, Guvernatori i rajonit të Azerbajxhanit Lindor, Malek Rahmati dhe Imami i Lutjes së Premtes së Tabrizit, Ayatollah Ale Hashem.

Ekipet e kërkim-shpëtimit raportuan se puna po vazhdonte me vështirësi për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, ndërsa Irani kërkoi nga Turqia një mjet ajror pa pilot (UAV) për të kryer kërkimin ajror.

Droni Akıncı tërhoqi vëmendje të madhe në mbarë botën që në fillim të fluturimit të tij.

Sipas aplikacionit FlightRadar24, më shumë se 200 mijë njerëz ndoqën lëvizjet rrethore të dronit Akıncı në qiellin e Iranit.

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i jashtëm Hossein Amir-Abdollahian humbën jetën në aksidentin e helikopterit.

Related posts

Cikloni ”Mocha” merr jetën e të paktën 400 personave – VIDEO

rezart morina

Kurti: Ky vit ka qenë sfidues, sidomos në pjesën veriore të vendit

rezart morina

Moldavi – Mijëra protestues kundër rritjes së çmimit të gazit

rezart morina