Eurodeputetja gjermane Delara Burkhardt dhe eurodeputeti austriak Andreas Schieder kanë kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, pasi Komisioni Evropian ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Komisioni Evropian ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, shkaku i përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.
Ndaj aplikimit të këtyre masave kanë reaguar eurodeputetët Delara Burkhardt dhe Andreas Schieder, të cilët kanë akuzuar BE-në se është e njëanshme.
“Nuk është e pranueshme të heshtësh për Serbinë, ndërkohë që vetëm Kosova bëhet përgjegjëse për de-përshkallëzimin. Në një proces serioz të dialogut duhet marrë masa të qarta ndaj Serbisë”, ka shkruar në një postim në Twitter, eurodeputeti Schieder.
Më tej ai ka thënë se “masat ndëshkuese të njëanshme kundër Kosovës të planifikuara nga Komisioni i BE-së janë të gabuara”.
“Injorohet se provokimet kanë ardhur nga Vuçiq i Serbisë”, ka shkruar eurodeputeti austriak.
Kritike ndaj BE-së është edhe eurodeputetja gjermane, Burkhardt.
“Me sanksionet e djeshme kundër Kosovës, Komisioni i BE-së vazhdon zbutjen me Vuçiqin. Kjo është e njëanshme dhe rrezikshmërisht e gabuar”, ka shkruar ajo, raporton Telegrafi.
Deputetja e parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, të mërkurën ka adresuar kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian, pasi ky i fundit ka përgatitur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën.
Ajo ka shtuar se BE-a nuk po tregon produktivitet për de-eskalimin e situatës në veri, dhe kështu po e inkurajon Beogradin për të vazhduar më tej.
“Bashkimi Evropian është joproduktiv për de-përshkallëzimin e situatës në veri, duke inkurajuar Beogradin i cili: -Ndërhyri në zgjedhjet, rrëmbeu ilegalisht tre policë të Kosovës, financon militantët. Megjithatë nuk ka pasoja. Kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Kearns.
Komisioni Evropian të hënë para Parlamentit Evropian ka prezantuar disa masa kundër Kosovës.
Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot pas paralajmërimit të disa masave kundër Kosovës të prezantuara të hënën nga Komisioni Evropian.
Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë tha se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm.
Ai po ashtu theksoi se me raste kanë qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar.