Sulmi terrorist mbi Banjskën që la të vrarë heroin Afrim Bunjaku, tashmë po numëron dy muaj prej kur tronditi vendin dhe jo vetëm.
Pak është hedhur dritë mbi hetimet e këtij sulmi terrorist serb, edhe pse fajtorët dolën sheshazi shumë shpejt.
Por Serbia, e cila nga Kosova konsiderohet organizatore e agresionit, ende po shpëton “pa therë në këmbë”.
E, pikërisht për këtë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se koha e kaluar është e mjaftueshme për hetim, por edhe për sanksionimin e Serbisë.
“Është kohë më se e mjaftueshme që të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione mbi këtë akt të agresionit të Serbisë ndaj vendit tonë që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, dhe sigurinë tonë kombëtare. Nga pikëpamja jonë edhe sovraniteti, siguria dhe sundimi i ligjit janë çështje që paraqesin vlera dhe interes, e ne nuk bëjmë kompromis me to”.
“Në një situatë si ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që paraqesin të njëjtën gjë, duke mbrojtur ligjin, ne mbrojmë edhe sovranitetin dhe garantojmë siguri… Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-ve në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë në anën tjetër”, ka deklaruar Kurti.
Goxha fajtor në menaxhimin e gjithçkaje pas rastit të Banjskës, profesori Dorajet Imeri po e sheh Bashkimin Evropian.
“Është e ditur tashmë dhe e dëshmuar se Serbia është e involvuar drejtpërdrejt në gjithë atë skenar destabilizues ndaj veriut të Kosovës, prapa së cilës qëndron ndoshta edhe një skenar tjetër i një agresioni të hapur drejt veriut, tregon se BE-ja nuk arrin dot të funksionojë si një politikë e jashtme e qëndrueshme dhe se në këtë mënyrë nuk mund të prodhojë edhe zgjidhje të qëndrueshme për palët e përfshira dhe për gjithë rajonin”, ka thënë Imeri.
Lidhur me atë se ku kanë shkuar hetimet dhe a ka në plan BE-ja të sanksionojë Serbinë, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje të premten.