Prokurori i Shtetit, njëherazi koordinatori i krimeve kundër mjedisit ka autorizuar Policinë e Kosovës të nis grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me dyshimin se janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje në fshatin “Bardhosh”, të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bëhet e ditur se do të trajtojnë çdo informacion i cili paraqet dyshime për vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare.
“Pas publikimit në media lidhur me dyshimet se në Komunën e Prishtinës, më konkretisht në lagjen e re në fshatin Bardhosh të Prishtinës janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje, Prokurori i Shtetit njëherazi Koordinatori i krimeve kundër mjedisit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të verifikimit të këtyre informacioneve. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që të trajtojë çdo informacion i cili paraqet dyshime për vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatën për media.