RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Europa redukton kërkesën për gaz me 24% për të ulur varësinë nga Rusia

europa-redukton-kerkesen-per-gaz-me-24%-per-te-ulur-varesine-nga-rusia

Vendet e BE-së reduktuan kërkesën për gaz me 24% në muajin nëntor, edhe pse temperaturat pësuan rënie, duke dëshmuar kështu përsëri se blloku po arrin të reduktojë varësinë e tij nga energjia ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Të dhënat nga kompania e analizës së mallrave, ICIS, treguan se kërkesa për gaz në BE muajin e kaluar ishte 24% nën mesataren pesëvjeçare, pas një rënieje të ngjashme gjatë muajit tetor.

Vendet europiane janë përpjekur të reduktojnë varësinë e tyre nga gazi dhe nafta ruse, duke gjetur burime alternative ose duke bërë ndryshime për të ulur kërkesën.

Vjeshta e ngrohtë i ka ndihmuar vendet europiane në përpjekjet e tyre, megjithëse në dy javët e fundit temperaturat kanë rënë duke shkuar në nivelet normale.

Në Gjermani dhe Itali, dy vendet me konsumin më të madh të gazit në BE, kërkesa ra përkatësisht me 23 dhe 21 përqind në nëntor, zbuloi ICIS. Në Francë dhe Spanjë, ajo ra më shumë se 20%, ndërsa në Holandë më shumë se 30%.

“Industria po sjell proporcionalisht reduktimet më të mëdha në konsumin e gazit dhe kjo është tërësisht rezultat i çmimeve të qarta të tregut”, tha Tom Marzec-Manser, analist për gazin në Europë në ICIS. Çmimi i lartë i gazit ka sjellë uljen e përdorimit, shtoi ai. Në vitin 2021, BE importoi 155 miliardë metra kub gaz natyror nga Rusia, të cilat përbënin rreth 45 për qind të importeve të gazit të BE-së dhe afro 40 për qind të konsumit total të gazit në BE.

Europa gjithashtu ka vendosur kufizime të reja gjithëpërfshirëse ndaj eksporteve të naftës ruse për të kufizuar përdorimin e këtij burimi energjie nga Rusia.

Kufizimet e BE-së për importet e naftës ruse që vjen në rrugë detare hyri në fuqi ditën e hënë. Ndërkohë, liderët e G7 kanë rënë dakord të lançojnë të ashtuquajturin “kufi të çmimit”, i cili synon të sigurojë vazhdimësinë e furnizimeve të naftës ruse në vende të tilla si India dhe Kina për të shmangur krijimin e mungesave në tregje, por vetëm nëse nafta e papërpunuar shitet me më pak se 60 dollarë për fuçi për të kufizuar të ardhurat e Moskës.

Drejtuesit dhe analistët e kësaj industrie kanë paralajmëruar megjithatë se, nëse rënia e kërkesës nuk vijon dhe nëse nuk shtohen importet e gazit natyror të lëngshëm, mungesat e gazit mund të vazhdojnë për disa vite në Europë.

“Kërkesa do të duhet të jetë më e ulët krahasuar me nivelet ku ishte përpara luftës Rusi-Ukrainë, në mënyrë që të sigurohen magazinimet e mjaftueshme” për dimrin e ardhshëm, tha Alex Tuckett, kryeekonomist në grupin e konsulencës CRU. “Pyetja është se sa do të duhet të jetë reduktimi i kërkesës dhe sa do të kushtojë ai.”

Rënia e kërkesës bëri që objektet e magazinimit të gazit në BE të ishin të mbushura deri në kapacitetin 95% në mes të nëntorit, sipas organit të industrisë Gas Infrastructure Europe, afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave. Flukset rekord të gazit natyror të lëngshëm në rajon ndihmuan në ruajtjen e këtyre niveleve.

Por, moti më i ftohtë në javët e fundit ka rritur kërkesën dhe kapacitetet e magazinimit janë tashmë në rreth 93%.

Në të njëjtën kohë, çmimet janë rritur. Kontratat holandeze të gazit TTF, standardi europian, tregtohen afërsisht 150 € për megavat orë, shifra më e lartë në më shumë se një muaj, por gjithsesi sa gjysma e çmimit prej 300 €/MWh që u arrit në gusht.

Çmimet e larta të gazit janë një barrë për familjet dhe bizneset, por ato i kanë mundësuar Europës që të tërheqë vëllime rekord të gazit natyror të lëngshëm, për shkak të primit që paguhet ndaj blerësve të tjerë.

Të dhënat e ICIS treguan se Europa dhe Britania e Madhe importuan 11.14 milion ton gaz natyror të lëngshëm në muajin nëntor, një nivel rekord mujor. Me sa duket, ato janë në rrugën e duhur për të arritur shifrën 12.2 milion ton në dhjetor.

Marzec-Manser shtoi se duhet pasur kujdes me planin e Europës për kufizimin e çmimeve të gazit.

“Çdo lëvizje për të kufizuar çmimet e gazit me shumicë mund të rrezikojë mundësitë e Europës për të siguruar furnizimet me gaz natyror të lëngshëm, jo vetëm këtë dimër, por edhe në dimrin e ardhshëm dhe më gjerë,” tha ai. “Nëse Europa nuk është më tregu ku paguhet primi më i lartë i gazit në botë, kjo do të sillte një reduktim të ngarkesave të importuara në kohën kur ato janë më të nevojshme.” /monitor

Related posts

Arabia Saudite heq kufizimet për numrin e hanxhinjve

admin

Izraeli fillon sulmet ndaj Rripit të Gazës

admin

Bashkimi Afrikan dënon grushtin e shtetit në Gabon

admin