Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Armenia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për rekrutimin e punëtorëve midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të EBA-së, WAM, ministri i Çështjeve Njerëzore të EBA-së, Abdulrahman al-Awar u takua me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale të Armenisë, Narik Mkrtchian në EBA.
Al-Awar tha se EBA po përpiqet të zhvillojnë marrëdhënie me vende të ndryshme të botës në kuadër të “mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”. Ai theksoi se marrëveshja në fjalë u nënshkrua “për të siguruar të drejtat e punëtorëve që vijnë nga vendet e tyre për të punuar”.
“Ne besojmë se jemi në prag të një faze të re për të zhvilluar bashkëpunimin me Armeninë në fushën e fuqisë punëtore. Ne presim që ky bashkëpunim të rritet më tej në vitet e ardhshme”, tha Al-Awar.
Mkrtchian tha se është i kënaqur me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit dhe se dëshirojnë të zhvillojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
Memorandumi i mirëkuptimit midis EBA-së dhe Armenisë përfshinë marrëveshje për ardhjen, qëndrimin dhe punësimin e punëtorëve që vijnë nga Armenia në EBA.