Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.
Përpos kësaj, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është theksuar se dy të ndaluarit së fundi janë të mitur.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj theksoi se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar edhe dy persona të tjerë, të mitur të cilët janë dërguar në mbajtje prej 24 orësh.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar edhe dy (2) persona të tjerë, të mitur, të njëjtit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 24 orësh, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore”,tha ajo.
Po ashtu Ulaj shtoi se rasti po vazhdon të hetohet.
Lidhur me rastin e rëndë që ndodhi së fundi në Prishtinë, ku një 11 vjeçare u dhunua për disa orë radhazi nga pesë persona të ndryshëm, deri më tani janë arrestuar katër persona të dyshimtë teksa njëri prej të dyshuarve vazhdon të jetë në kërkim.
I moshës madhore në këtë rast, si i dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares është E.R, 26 vjeçar kurse vëllai tij dhe dy të tjerët janë të mitur derisa nuk janë dhënë detaje shtesë për personin e pestë që vazhdon të jetë i kërkuar nga organet e rendit.
Kurse mbrëmë është raportuar se i lartcekuri E.R, ishte i njohur për organet e rendit dhe të hetuesisë në vend.
Ai edhe më parë kishte patur raste të hapura për vepra të ngjashme, anipse vazhdoi të ishte i lirë.
Kurse në seancën e djeshme dëgjimore, 26 vjeçari nuk ishte deklaruar fare dhe kishte zgjedhur që të mbrohej në heshtje.
E.R dhe vëllait të tij Gjykata Themelore në Prishtinë dje iu ka caktuar edhe masën e paraburgimit prej një muaji.
E në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ishte qartësuar edhe se si kishte ndodhur rasti derisa thuhej se viktima ishte dhunuar në dy vende të ndryshme, si fillim tek një prej parqeve në lagjen “Arbëria”, e më pas në një hapësirë tjetër të hapur.
Lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi së fundi pati reagime të shumta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministri, Albin Kurti kanë kërkuar që kryerësit e veprës të marrin dënimin e merituar derisa u tha se në Kosovë duhet të ketë një jetesë të sigurt për secilën grua.
Reagime të shumta pati edhe nga liderët opozitarë, deputetë, ministra e përfaqësues të shoqërisë civile.