Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj secilit veç e veç, Vladimir Toliqit, Blagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit, të dyshuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Lajmin e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj”, thuhet në përgjigjen e saj për Klankosova.tv
Ata gjenden në paraburgim nga 26 shtatori i vitit të kaluar.
Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
The post Edhe nga dy muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë first appeared on Radio Televizioni Iliria.