Edhe të martën po vazhdojnë protestat e nisura që nga 29 maji në tri komunat në veri të Kosovës – Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Mëngjesin e së martës është raportuar për një numër më të vogël të protestuesve të pranishëm. Në mesin e protestuesve janë kryesisht punëtorët e institucioneve komunale në sistemin paralel serb.
Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Në Kosovë po qëndron për vizitë Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak. Ata gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takim me kryeministrin Kurti.
Ndërsa sot ata pritet të takohen me presidenten Osmani dhe krerët e Opozitës.