Autoritetet egjiptiane sot kanë urdhëruar lirimin e gazetarëve të Al-Jazeera-s të mbajtur nga Kajroja, tha një zyrtar lokal, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Përshëndes vendimin e Prokurorisë Publike Egjiptiane për lirimin e gazetarëve të Al-Jazeera-s, të cilët ishin në paraburgim”, tha Tarek al-Awady, një anëtar i Komitetit Presidencial të Faljes në Egjipt, në llogarinë e tij në Facebook.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Mediat lokale raportuan më herët se prokurorët egjiptianë kanë liruar nga paraburgimi reporterin e Al-Jazeera-s Ahmed Al-Najdy.
Al-Najdy ishte arrestuar nga autoritetet egjiptiane me akuzën e përhapjes së lajmeve të rreme.
Nuk ka ende asnjë konfirmim nga autoritetet egjiptiane.
Sipas televizionit me bazë në Doha, janë katër gazetarë të Al-Jazeera-s që ishin ndaluar nga autoritetet egjiptiane.
Sot gjatë ditës, presidenti egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi përfundoi një vizitë dyditore në Katar, vizita e tij e parë në vendin e Gjirit që kur ai erdhi në pushtet në vitin 2014.
Egjipti dhe Katari rivendosën lidhjet diplomatike në janar të vitit 2021 pas nënshkrimit të një marrëveshjeje pajtimi në Al-Ula të Arabisë Saudite, e cila i dha fund krizës së Gjirit që shpërtheu në verën e vitit 2017. /aa