Egjipti tha se dëshiron të mbajë të hapur kalimin kufitar Rafah me Rripin e Gazës për kalimin e ndihmave humanitare në rajon, raporton Anadolu.
“Vëllezërit tanë palestinezë po durojnë vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së shërbimeve bazë në mes të bombardimeve të vazhdueshme izraelite”, tha ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry në një konferencë të përbashkët shtypi në Kajro me homologun e tij italian Antonio Tajani.
Kalimi Rafah është i vetmi terminal midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Shoukry tha se Kajro po mban kontakte me Izraelin, Hamasin dhe partnerët ndërkombëtarë “për të vënë nën kontroll krizën dhe për të zbutur ndikimin humanitar mbi civilët në Gaza”.
“Egjipti ka qenë i vendosur në mbajtjen hapur të kalimit Rafah për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare dhe do të vazhdojë të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme humanitare për popullin palestinez”, shtoi ai.
Të mërkurën, agjencia e OKB-së për refugjatët, UNRWA, paralajmëroi se Rripi i Gazës do të përballet me një katastrofë humanitare nëse korridore të sigurta nuk hapen për ndihmë.
“Rripi i Gazës do të dëshmojë një katastrofë humanitare të paprecedentë nëse nuk hapen korridore të sigurta për mbërritjen e ndihmave humanitare, duke përfshirë furnizimet mjekësore, ushqimet dhe ujin”, tha për Anadolu Adnan Abu Hasna, zëdhënës i UNRWA-së.
Të martën, Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi tha se avionët luftarakë izraelitë goditën sërish portat e kalimit Rafah me Egjiptin.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur një fushatë të vazhdueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrje për bastisjet e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim paralizues që nga viti 2007.
Më shumë se 2.300 njerëz janë vrarë në periudhën aktuale të dhunës, duke përfshirë të paktën 1.100 palestinezë dhe 1.200 izraelitë.