Ekspertë të Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar të premten se sanksionet e SHBA-së ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) përbëjnë “përpjekje të pamatur” për të shembur sistemin e drejtësisë ndërkombëtare, duke u bërë thirrje qeverive të mbrojnë pavarësinë e gjykatës, transmeton Anadolu.
“Vendosja e sanksioneve ndaj institucionit të ngarkuar me dhënien e drejtësisë për krimet më të rënda ndërkombëtare përbën sulm ndaj themeleve të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit”, kanë thënë ekspertët në një deklaratë.
Paralajmërimi vjen pasi Washingtoni vendosi sanksione ndaj vetë GJNP-së, pas masave të mëparshme që kanë shënjestruar më shumë se dhjetë gjyqtarë dhe zyrtarë aktualë ose ish-zyrtarë të gjykatës, si dhe një raportues të posaçëm të OKB-së.
Ekspertët kanë thënë se sanksionet dëmtojnë drejtpërdrejt viktimat e mizorive, të cilat mbështeten te gjykata për drejtësi, përgjegjësi dhe dëmshpërblim.
“Sanksionet synojnë ta gjunjëzojnë GJNP-në dhe të sigurojnë që aleatët e SHBA-së të mos mbajnë përgjegjësi për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, kanë thënë ata.
Ekspertët i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të aktivizojë menjëherë Statutin e Bllokimit, për të parandaluar operatorët evropianë, përfshirë bankat dhe ofruesit e shërbimeve, që të zbatojnë sanksione të vendeve të treta që shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Ata gjithashtu u kanë bërë thirrje qeverive të mbrojnë personelin e GJNP-së dhe individët që bashkëpunojnë me gjykatën.
Ekspertët u kanë kërkuar shteteve të përdorin marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare për të zbutur ndikimin e sanksioneve dhe për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit të gjykatës.
“Heshtja dhe mosveprimi vetëm sa do t’i inkurajojnë sulmet e mëtejshme. Shtetet duhet të veprojnë kolektivisht tani për ta mbrojtur këtë gjykatë”, kanë paralajmëruar ata.

