RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ekspertët e sigurisë nuk presin eskalim të situatës në veri të Kosovës

ekspertet-e-sigurise-nuk-presin-eskalim-te-situates-ne-veri-te-kosoves

Një numër i konsiderueshëm veturash të qytetarëve serbë, të regjistruara rishtas me targa RKS, janë djegur kohëve të fundit në veri të Kosovës. E, për destabilizimin eventual të kësaj pjese, ka disa informacione edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e cila ditë më parë njoftoi Kuvendin se pjesëtarë serbë të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile po trajnohen në Rashkë, me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Ekspertë të sigurisë thonë se tensionet eventuale në veri, më shumë se me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 23 prill, ndërlidhen me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një mendim të tillë e ka edhe eksperti Avni Islami, i cili thotë se për zgjedhjet në veri, nuk pret tensione si dikur.

“Duke pasur parasysh që marrëveshja e Ohrit është e obligueshme dhe se për këtë është pajtuar edhe vetë Serbia, unë nuk pres tensionim të situatës në veriun e Kosovës, ashtu siç kemi pasur kohë më parë, kur kishte të vendosura barrikada në rrugë, e grupe kriminale të dirigjuara nga Aleksandër Vuçiq, madje kishin përdorur edhe armët e zjarrit”, tha Islami për Radio Kosovën.

Eksperti tjetër i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se në veri të Kosovës ka grupe terroriste që në vazhdimësi terrorizojnë serbët në veri, e herë pas here ndërmarrin edhe aksione kundër organeve shtetërore të Kosovës.

Sipas tij, përkeqësimi eventual i situatës në veri, varet direkt nga urdhrat që vijnë nga Beogradi zyrtar.

“Leja se sa do të jetë ky destabilizim merret në Beograd, duke e parë disponimin e faktorëve të jashtëm. Ndërkohë që, mendoj se për shkak të prezencës së KFOR-it, në veri, nuk do të ketë hapësirë dhe kapacitete që të eskalojë situata deri në atë masë sa për të rrezikuar skajshmërisht rendin kushtetues të Republikës së Kosovës ”, tha Kajtazi.

Grupe të organizuara serbësh në veri të Kosovës, të nxitur nga Lista Serbe dhe drejtuesit e Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, mjaft shpesh kanë krijuar tensione e ngritur barrikada në rrugë.

Barrikadat e fundit, të vendosura me 5 nëntor 2022, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS, nuk u hoqën deri në fund të dhjetorit, ndonëse kjo u kërkua në vazhdimësi nga faktori ndërkombëtar.

Related posts

Publikohet kalendari për vitin shkollor 2024/2025, Nagavci: Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mësimit

RTI

Ecën nga Meka në Medine në gjurmët e Profetit (a.s) – VIDEO

admin

Turqia rikonfirmon votën pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

RTI