Kush është Daniel Kinahan, u karteli i tij krahasohet deri dhe me Camorra-n
Daniel Kinahan, një nga personat më të kërkuar në botë, u paraqit në gjykatë në Dublin pasi u ekstradua nga Dubai. Ai akuzohet për drejtimin e aktiviteteve të një organizate kriminale midis 18 tetorit 2015 dhe 6 prillit 2017.
Aeroplani qeveritar irlandez që mbante 49-vjeçarin u ul në Dublin dje, më 9 gusht. Ai u arrestua dhe u akuzua pas mbërritjes. Pas një seance dëgjimore 13-minutëshe pa juri në Gjykatën Speciale Penale, ai u la në paraburgim deri më 5 tetor.
Kinahan u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe në prill. Ai ka apeluar kundër urdhrit të ekstradimit gjatë muajve të fundit, por përpjekjet e tij kanë qenë të pasuksesshme. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Irlandës më parë tha se karteli Kinahan është përgjegjës për importimin e ton droge dhe armësh zjarri në të gjithë botën dhe është lidhur me më shumë se një duzinë vrasjesh të bandave.
Ndër më të rrezikshmit në botë
Kinahan nuk kërkohej vetëm nga autoritetet në Irlandë, pasi Departamenti i Thesarit i SHBA-së dikur e përshkroi kartelin Kinahan si një nga më të rrezikshmit në botë. Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj Kinahan në prill 2022 pasi e identifikoi atë dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij si udhëheqës të kartelit të krimit të organizuar Kinahan. Ai po luftonte kundër një përpjekjeje për t’u ekstraduar përsëri në vendin e tij të lindjes, ku karteli Kinahan ishte i përfshirë në një luftë të gjatë bandash që la 18 persona të vdekur.
Përpara ekstradimit, Shërbimi Irlandez i Burgjeve bleu një furgon rezistent ndaj plumbave dhe bombave që mund të përdoret për të shoqëruar të burgosurit e konsideruar me rrezik të lartë. Komisioneri i Gardës, Justin Kelly, tha se arrestimi tregoi vendosmërinë e policisë për të “shënjestruar grupet transnacionale të krimit të organizuar” në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të policisë, siç është Policia e Dubait.
Salla e gjyqit ishte e mbushur dje, me gazetarë, avokatë të shumtë nga Drejtori i Prokurorisë Publike (DPP) dhe anëtarë të publikut. Kinahan u ul në një bankë druri në gjykatë, i veshur me një bluzë me kapuç të zi. Ai u paraqit para gjyqtarëve Patrick McGrath, Sarah Berkeley dhe Fiona Lydon, dhe u ngrit ndërsa tre gjyqtarët zunë vendet e tyre. Kinahan nuk u përfaqësua nga një avokat dhe i tha gjykatës se nuk kishte pasur kohë të organizonte një të tillë.
Kur gjyqtari McGrath sugjeroi që ai të akuzohej sot dhe përfaqësimi ligjor të organizohej më vonë, Kinahan u përgjigj: “Nëse kam kohë, po.” Gjykatësi McGrath e pyeti Kinahan nëse do të donte të paraqitej në seancën e ardhshme dëgjimore personalisht apo nëpërmjet lidhjes video. Kinahan e pyeti nëse duhej të “merrte një vendim tani” dhe iu tha se mund të merrte një vendim më vonë dhe të informonte guvernatorin e burgut. Gjykatësi McGrath i tha Kinahan se mund të aplikonte për lirim me kusht përmes Gjykatës së Lartë. Kinahan u përgjigj: “Mendoj se të gjithë e dimë që nuk do të marr lirim me kusht, por faleminderit për kohën tuaj.”
Traktati i ekstradimit Irlandë-Emiratet e Bashkuara Arabe është përdorur më parë për të ekstraduar Sean McGovern, një “toger i lartë” në grupin e krimit të organizuar Kinahan. Në qershor, ai u dënua me 24 vjet burg për drejtimin e aktiviteteve të një organizate kriminale.
Çfarë është Karteli Kinahan?
Karteli vlerësohet të ketë fituar më shumë se një miliard euro (në nivel global nga aktivitetet e tij. Departamenti i Thesarit i SHBA-së në të kaluarën e ka krahasuar bandën me organizata kriminale si Camorra italiane, Los Zetas e Meksikës dhe Yakuza e Japonisë.
SHBA-të kanë ofruar gjithashtu një shpërblim deri në pesë milionë dollarë për informacion mbi Danielin, babanë e tij Christopher Sr. dhe vëllain Christopher Jr. Thomas Kavanagh, i cili drejtoi operacionet kriminale të grupit në Mbretërinë e Bashkuar, u dënua në vitin 2022 me 21 vjet burg së bashku me Gary Vickery dhe Daniel Canning, të cilët u dënuan përkatësisht me 20 dhe 19 vjet e gjysmë.
Vetë Kinahan u shënjestrua për vrasje dhe i shpëtoi një atentati gjatë një të shtëne vdekjeprurëse në një hotel në Dublin në vitin 2016. Ai u largua nga Irlanda dhe kaloi ca kohë duke jetuar në Spanjë dhe, së fundmi, në Dubai, ku gjykatat irlandeze lëshuan një urdhër arresti për të në prill. /tesheshi

