Fenomeni “El Nino” dhe ngrohja e Atlantikut tropikal mund të ofrojnë paralajmërime për temperatura ekstreme në disa pjesë të Amazonës deri në shtatë muaj përpara, tregon një studim i ri, transmeton Anadolu.
Studimi i publikuar në revistën “Earth’s Future”, shqyrtoi mënyrën se si modelet kryesore të ndryshueshmërisë natyrore të klimës ndikojnë në ekstremet e temperaturave dhe reshjeve në pellgun e Amazonës.
Studiuesit zbuluan se temperaturat ekstreme ishin më të mundshme pas kushteve jashtëzakonisht të ngrohta të lidhura me “El Nino”-n në Paqësorin tropikal dhe ngrohjen në pjesë të Atlantikut tropikal, sipas qendrës australiane për kërkimet klimatike “ARC Centre”, e cila publikoi sot gjetjet.
Sinjali më i qartë afatgjatë u shfaq për periudhën mars-maj, kur temperaturat ekstreme në Amazonë lidheshin me kushtet oqeanike të vërejtura deri shtatë muaj më herët.
“Është mjaft befasuese që ekstremet e temperaturave lidhen me kushtet në Oqeanin Paqësor dhe Atlantikun tropikal të vërejtura deri shtatë muaj më parë”, tha profesoresha e asociuar e UNSW-së, Andrea Taschetto, bashkautore e studimit.
Studiuesit analizuan të dhënat mujore klimatike nga viti 1950 deri në vitin 2023 në gjashtë rajone të Amazonës dhe përdorën mësimin makinerik për të shqyrtuar ngjarjet e kombinuara të nxehtësisë dhe thatësirës.
Këto ngjarje mund të rrisin rrezikun e zjarreve në pyje, të dëmtojnë ekosistemet dhe të kërcënojnë shëndetin e njerëzve, sigurinë ushqimore dhe furnizimet me ujë.
Studiuesit paralajmëruan se lidhja shtatëmujore vlen për temperaturat ekstreme dhe jo për parashikime të besueshme shtatë muaj përpara të kombinimit të nxehtësisë dhe thatësirës.
Parashikueshmëria e ngjarjeve të kombinuara ndryshonte ndjeshëm sipas stinës dhe rajonit ndërsa sinjalet e dobishme përgjithësisht kufizoheshin në periudha më të shkurtra.

