RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Emërimi i një zyrtareje që votoi kundër njohjes së Kosovës shkakton debat në Mal të Zi

emerimi-i-nje-zyrtareje-qe-votoi-kunder-njohjes-se-kosoves-shkakton-debat-ne-mal-te-zi

Emërimi i Ana Lacmanoviqit, zyrtare e Kadastrës së Tivarit dhe njëkohësisht këshilltare e partisë Demokracia e Re Serbe (NSD) në Kuvendin Komunal të Plevlës, për të koordinuar punën e Njësisë Rajonale të Administratës së Pasurive të Paluajtshme në Ulqin, ka nxitur reagime dhe debat në Mal të Zi.

Çështja u ngrit në Parlament nga deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, i cili pyeti kryeministrin Milojko Spajiq se si e komenton faktin që një person që kishte votuar për një deklaratë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës po ushtron funksion drejtues në një institucion shtetëror në Ulqin.

Deklarata kundër njohjes së Kosovës u miratua javën e kaluar në Kuvendin Komunal të Plevlës, me propozim të Partisë Popullore Demokratike (DNP) të Milan Knezheviqit. Me të, këshilltarët kërkuan mosnjohjen e vendimit të Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më herët, një deklaratë e ngjashme ishte miratuar edhe në komunën e Zetës.

Çapuni vuri në pikëpyetje nëse është në përputhje me parimet e neutralitetit politik që një zyrtare e administratës shtetërore të angazhohet njëkohësisht në veprime politike që bien ndesh me politikën zyrtare të shtetit, transmeton Vijesti.

Ai theksoi se, sipas Ligjit për Nëpunësit Civilë dhe Punonjësit, zyrtarët shtetërorë duhet të ushtrojnë detyrën në mënyrë të paanshme dhe të përmbahen nga shfaqja publike e bindjeve politike.

“Nuk bëhet fjalë për një opinion privat. Bëhet fjalë për votimin e një këshilltareje për një akt që sfidon vendimin e Qeverisë për njohjen e Kosovës. Kuvendet komunale nuk kanë kompetencë kushtetuese për të njohur ose mosnjohur shtete, por miratimi i një deklarate të tillë përbën demonstrim politik kundër politikës zyrtare të Malit të Zi”, deklaroi Çapuni.

Sipas tij, çështja është veçanërisht e ndjeshme në Ulqin, një komunë multietnike me shumicë shqiptare, pasi Administrata e Pasurive të Paluajtshme vendos për të drejta të rëndësishme të qytetarëve, si regjistrimi i pronësisë dhe çështje të tjera pronësore.

Në përgjigjen e tij me shkrim, kryeministri Milojko Spajiq sqaroi se Ana Lacmanoviq nuk është emëruar zyrtarisht drejtoreshë e Njësisë Rajonale në Ulqin dhe as nuk është transferuar në atë pozitë.

Ai ka tëhnë se asaj i është dhënë vetëm një autorizim i përkohshëm për të koordinuar punën e njësisë dhe për të nënshkruar dokumente, pasi pozita e shefit ka mbetur vakante pas përfundimit të mandatit të zyrtarit të mëparshëm.

Sipas Spajiqit, autorizimi është dhënë nga Administrata e Pasurive të Paluajtshme duke u bazuar në përvojën profesionale dhe rezultatet e Lacmanoviqit në njësinë e Tivarit, me qëllim që të mos ndërpritet funksionimi i institucionit.

Sa i përket mandatit të saj si këshilltare komunale, Spajiq ka thënë se këshilltarët mbajnë përgjegjësi politike ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhur dhe se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë kompetenca për të vendosur mbi politikën e jashtme të Malit të Zi.

Ai shtoi se deklarata e miratuar në Plevlë nuk ka asnjë efekt juridik dhe nuk mund të ndikojë në vendimin e Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

Gjatë debatit, Çapuni ngriti edhe një pyetje hipotetike, duke pyetur se çfarë do të ndodhte nëse një qytetar i Kosovës do t’i drejtohej Kadastrës së Ulqinit për regjistrimin e një prone me dokumente të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

“A do t’i thuhej se dokumentet nuk njihen?”, pyeti ai.

Spajiq u përgjigj se çdo refuzim për të vepruar në përputhje me ligjin do të sillte përgjegjësi penale për zyrtarët përkatës.

Related posts

Në një xhami në Angli mbahen trajnime pilates për besimtarët pas kryerjes së namazit

RTI

Rama për gazetën italiane “Libero”: E ardhmja e Shqipërisë do të varet shumë nga ajo e Europës

Muhamet Ramadani

Dy fëmijë midis 9 të vrarëve në sulmet ajrore izraelite në Liban

Irfan Jahiu