Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nisma e drithërave e Detit të Zi duhet të vazhdojë duke adresuar mangësitë që penguan marrëveshjen e pezulluar, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan ndodhet në një vizite pune njëditore në qytetin bregdetar rus Sochi për të diskutuar me presidentin Putin çështjet aktuale rajonale dhe globale, si dhe lidhjet dypalëshe. Ringjallja e marrëveshjes historike e vitit të kaluar e drithërave të Detit të Zi, që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit, ishte një çështje kryesore në takim.
“Ne besojmë se nisma duhet të vazhdojë duke korrigjuar mangësitë e saj”, tha presidenti Erdoğan në konferencën e përbashkët për media me presidentin Putin.
Në muajin korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e drithërave, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuar, që kishte për qëllim rifillimin e eksporteve të drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi që u ndaluan pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Moska është ankuar se Perëndimi ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta për eksportet ruse të drithërave dhe se nuk po shkonin mjaftueshëm drithëra ukrainase në vendet në nevojë.
Duke konfirmuar rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të Rusisë për eksportet e drithërave dhe plehrave bujqësore të saj, Turqia thotë se nuk ka alternativë ndaj nismës.
“Alternativat e propozuara ndaj marrëveshjes së drithërave nuk mund të ofrojnë një model të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përhershëm të bazuar në bashkëpunimin midis palëve, si nisma e Detit të Zi”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se marrëveshja ka luajtur një “rol kyç” në adresimin e krizës globale të ushqimit, si dhe shtoi se ajo vepron si “tub frymëmarrjeje” për ata në nevojë si në Afrikë.
Presidenti turk tha se Ankaraja është e gatshme të bëjë atë që është e nevojshme për të dërguar drithëra në disa vende të varfra afrikane. Ai shtoi se Turqia dhe Rusia ranë dakord për këtë.
“Putin tha se ne kemi përfunduar punën logjistike për të dërguar 1 milion ton drithëra në vendet e varfra dhe ne thamë si Turqi jemi përgjegjës për çdo detyrë që na bie”, theksoi Erdoğan.
Lidhur me një propozim të përbashkët për dërgesat e drithërave të përgatitur me OKB-në, Erdoğan tha se beson se “Turqia do të arrijë një zgjidhje që do të përmbushë pritjet brenda një kohe të shkurtër”.
Siç theksoi Erdoğan, Ukraina duhet të zbusë qasjen e saj në mënyrë që të ndërmarrë hapa të përbashkët me Rusinë në mes të luftës në vazhdim.
“Ne kemi organizuar më parë negociata të drejtpërdrejta midis palëve. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë pjesën tonë, si gjithmonë, në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Më tej, ai theksoi se Turqia është e vendosur të vazhdojë punën e saj për të siguruar paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon.
Ankaraja ka kryer përpjekje intensive diplomatike për rivendosjen e marrëveshjes së drithërave dhe gjithashtu i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës përmes negociatave.
Putin: Bashkëpunimi midis Turqisë dhe Rusisë po zhvillohet me sukses në të gjitha fushat
Nga ana tjetër, presidenti Putin tha se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Rusisë në një gamë të gjerë fushash po zhvillohet me sukses.
“Bashkëpunimi i shumëanshëm midis Rusisë dhe Turqisë, i cili bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë, partneritetit dhe përfitimit reciprok, po zhvillohet me sukses në të gjitha fushat”, tha Putin.
Duke theksuar se ai me presidentin Erdoğan diskutuan çështjet kyçe në frymën e bashkëpunimit dypalësh, Putin tha se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë konstruktive dhe biznesore”.
“Kemi shkëmbyer mendime mbi temat aktuale në agjendën ndërkombëtare dhe rajonale. Pa dyshim, bisedimet e sotme do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit ruso-turk në të gjitha fushat”, tha Putin.
Më tej, Putin u shpreh se ai dhe Erdoğan theksuan rritjen e vazhdueshme të tregtisë midis dy vendeve, duke shtuar se vëllimi tregtar u rrit 86 për qind në një rekord prej 62 miliardë dollarësh në fund të vitit 2022, i cili më vonë u rrit me 4 për qind të tjera në gjysmën e parë të këtij viti.