Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se Agjencia turke e Inteligjencës Kombëtare (MIT) ka neutralizuar me anë të një operacioni të ashtuquajturin lider të DEASH-it, Abu Hussein al-Qurayshi në Siri, transmeton Anadolu.
Erdoğan mbrëmë mori pjesë në një intervistë të përbashkët të disa kanaleve televizive përfshirë TRT Türk, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Duke tërhequr vëmendjen se lufta e Turqisë kundër terrorizmit kontribuon edhe në sigurinë e Evropës, Erdoğan tha se vendi i tij është vendi i vetëm brenda NATO-s që lufton në mënyrë më efektive kundër organizatave terroriste DEASH, PKK/YPG, FETO.
Ai tha se MIT një kohë të gjatë ka ndjekur të ashtuquajturin lider të DEASH-it me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurayshi. “Ky person u neutralizua dje në Siri me anë të një operacioni të Agjencisë sonë të Inteligjencës Kombëtare. Shpresojmë se edhe pas kësaj do të vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste pa bërë dallim”, tha presidenti turk.
Turqia në vitin 2013 u bë një nga vendet e para që shpalli DEASH-in organizatë terroriste.
Që atëherë, vendi është sulmuar disa herë nga grupi terrorist, me mbi 300 persona të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur në dhjetëra sulme vetëvrasëse.
Si kundërpërgjigje, Turqia nisi operacione anti-terroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.
TRT Türk, ATV Avrupa, Euro D, Euro Star, Kanal 7 Avrupa Ortak Canlı Yayını https://t.co/C43GLqlN2o
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) April 30, 2023