RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Netanyahu e ka shkruar emrin e tij në histori si ‘kasapi i Gazës’

erdogan:-netanyahu-e-ka-shkruar-emrin-e-tij-ne-histori-si-‘kasapi-i-gazes’

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Netanyahu, i cili ka kryer një nga mizoritë më të mëdha të shekullit të fundit në Gaza, që tashmë e ka shkruar emrin e tij në histori si ‘kasapi i Gazës’”, raporton Anadolu.

Erdoğan në një fjalim para grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) tha se banorët e Gazës që nga 7 tetori po përballen me sulmet më të pabesë dhe më të neveritshme të historisë njerëzore, ku xhamitë e qytetarëve të Gazës po bombardohen, shkollat janë shndërruar në rrënoja, spitalet janë shkatërruar ndërsa kampet e refugjatëve ku ata janë strehuar janë shënjestruar.

Duke bërë të ditur se janë lëshuar bomba mbi rrugët, mbi civilët që janë zhvendosur (migruar), Erdoğan tha se “Fëmijët të cilët nënat e tyre nuk kanë mundur t’i përqafojnë e t’i puthin, janë vrarë brutalisht, ndërsa baballarët kanë mbledhur pjesët e fëmijëve të tyre të cilët i ruanin kaq shumë”.

“Në Gaza është kryer gjenocid kundër 2.3 milionë njerëzve të cilët i kanë ngjeshur në një burg të hapur prej 360 kilometra katrorë dhe të cilëve u është ndërprerë ushqimi, karburanti, ilaçet, buka, energjia elektrike, uji dhe komunikimi. E kanë djegur, shkatërruar Gazën për 50 ditë me radhë para syve të të gjithë botës. Kanë zbatuar çdo mizori e cila shënohet në historinë e njerëzimit së një njollë e zezë. Ata që janë përballur me mizorinë e Izraelit në Gaza, kanë përjetuar një ferr të plotë që nga periudha e 7 tetorit”, nënvizoi Erdoğan.

Ai shtoi se si pasojë e sulmeve të Izraelit kanë rënë dëshmorë rreth 16 mijë vëllezër të tanë nga Gaza, ku 70 për qind e tyre janë kryesisht fëmijë dhe gra. “Ndërsa janë plagosur po ashtu mbi 35 mijë prej vëllezërve tanë palestinezë. Përkujtoj dhe uroj të jenë të mëshiruar çdo dëshmor si dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, tha presidenti turk.

Sipas tij, dy të tretat e ndërtesave në Gaza janë shembur, shkatërruar ose janë bërë të papërdorshme, ndërsa infrastruktura shëndetësore dhe arsimore është rrënuar plotësisht.

“Netanyahu, i cili ka kryer një nga mizoritë më të mëdha të shekullit të fundit në Gaza, që tashmë e ka shkruar emrin e tij në histori si ‘kasapi i Gazës’. Kjo njollë e zezë është e ngulur jo vetëm në ballin e Netanyahut, por edhe në ballin e të gjithë atyre që e mbështesin pa kushte. Kjo njollë turpi nuk do të pastrohet kurrë. Nuk do t’i harrojmë kurrë krimet kundër njerëzimit dhe luftën në Gaza, as mosveprimin e vendeve perëndimore, përveç një ose dy prej tyre. Do të provojmë të gjitha mënyrat e disponueshme për ta bërë administratën izraelite të japë llogari si në aspektin e ndërgjegjes njerëzore ashtu edhe përpara ligjit ndërkombëtar”, tha Erdoğan.

– “Do të vazhdojmë duke intensifikuar angazhimet tona për Gazën”

Turqia ashtu siç ka bërë gjatë historisë edhe sot qëndron pranë qytetarëve të Gazës me të gjitha mjetet e saj, tha Erdoğan duke shtuar se çështja e parë dhe më e rëndësishme e kontakteve të tij ndërkombëtare ishte lufta në Gaza.

“Së fundi, gjatë udhëtimit tonë në Algjeri biseduam me presidentin Tebboune për këtë çështje në të gjitha aspektet dhe më pas me kryeministrin libanez Mikati, i cili vizitoi vendin tonë në fundjavë. Diskutuam për Gazën në bisedën tonë telefonike me kryeministrin e Spanjës, Sanchez. Unë e përgëzoj Spanjën për qëndrimin e saj të drejtë dhe të mprehtë në këtë çështje. Axhenda e bisedës sonë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres, është tragjedia njerëzore e përjetuar nga vëllezërit tanë palestinezë”, potencoi Erdoğan duke shtuar:

“Nesër shkojmë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë vizitës sonë në Dubai, do të diskutojmë për Gazën dhe çështjet klimatike dhe do të vlerësojmë se çfarë mund të bëjmë për popullin e Gazës. Ne do të vazhdojmë të intensifikojmë angazhimet tona të kontaktit për Gazën. Shkëmbimet e të burgosurve dhe paqen humanitare që nisi të premten e shohim si zhvillim pozitiv në drejtim të ndalimit deri diku të gjakderdhjes. Falënderojmë vendet simotra që kontribuan në arritjen e marrëveshjes”, theksoi Erdoğan.

Ai tha se janë të kënaqur që një pjesë e materialeve të nevojshme për Gazën i janë dërguar rajonit, por vuri në dukje se sasia e ndihmës së lejuar për të hyrë është larg plotësimit të nevojave minimale të banorëve të Gazës.

“Deklaratat që vijnë nga qeveria e Netanyahut zvogëlojnë shpresat tona që pauza humanitare të shndërrohet në një armëpushim të përhershëm”, tha Erdoğan i cili shtoi se Netanyahu i cili është zënë mirë në qoshe nga opinioni publik izraelit, duhet të pengohet që të derdhë më shumë gjak dhe të marrë më shumë jetë për të zgjatur jetën e tij politike.

“Netanyahu duke nxitur antisemitizmin me vrasjet që ka kryer në Gaza, rrezikon sigurinë e të gjithë hebrenjve, përfshirë popullin izraelit. Së bashku me antisemitizmin, në botë po rritet armiqësia ndaj Islamit. Emigrantët që jetojnë në këto vende po paguajnë çmimin e retorikës së papërgjegjshme të liderëve perëndimorë që demonizojnë palestinezët nën pretekstin e Hamasit. Sulmi i tmerrshëm ndaj 3 studentëve palestinezë në SHBA të dielën ishte shembulli i fundit i kësaj. Ne e dimë se shtetet perëndimore ngurrojnë në luftën kundër këtyre terroristëve, të cilët shpesh tentohen të banalizohen duke i quajtur ‘fanatikë, mendërisht të paqëndrueshëm ose të djathtë ekstrem’. Standardet e dyfishta që ata kanë shfaqur që nga fillimi i krizës në Gaza tregojnë se skenarë të tjerë dhe jo boshllëqe ligjore hyjnë në lojë në mosndëshkimin e krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve”, tha Erdoğan.

Në vazhdim ai tha se “Qëndrimi lejues i treguar nën këtë mbulesë të lirisë së mendimit ndaj njerëzve të mallkuar që dogjën Kuranin e Shenjtë është padyshim jo i qëllimshëm. Me sa duket, ata po përpiqen të shpikin një problem musliman sot, ashtu siç u bë me hebrenjtë dhe romët në të kaluarën. Si një vend me 7 milionë banorë jashtë vendit, kryesisht në Evropë, ne po ndjekim nga afër të gjitha këto zhvillime. Nuk do të lejojmë të lëndohet as edhe një prej qytetarëve tanë”.

Lidhur me ndihmat humanitare të Turqisë për Gazën, Erdoğan njoftoi se “Deri më sot në bashkëpunim me vëllezërit tanë egjiptianë kemi dërguar në Al-Arish 12 avionë dhe një anije plot me produkte të ndihmës. Edhe anija jonë e dytë, që transporton gjithsej 1.500 tonë produkte të ndihmës humanitare, niset sot (për në Gaza).

“Po tregohet interesim për të garantuar dërgimin e të plagosurve të Gazës në Turqi, kryesisht të prekurit nga kanceri dhe fëmijët. Gjithashtu vazhdojnë punimet për të caktuar vendin për spitalet fushore që do të ngrihen në Gaza. Ne do të përshpejtojmë kontaktet tona për lirimin e pengjeve dhe për vendosjen e armëpushimit të përhershëm (në Gaza)”, tha presidenti Erdoğan.

Pas shfaqjes së një videoje mbi përpjekjet shumëdimensionale të Turqisë për krizën në Gaza, Erdoğan tha: “Turqia me shtetin dhe qytetarët e saj qëndron pranë vëllezërve palestinezë. Me rastin e 29 nëntorit Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez dëshiroj të rikujtoj edhe njëherë se paqja dhe qetësia në rajonin tonë janë të mundshme vetëm me krijimin e një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe me integritet gjeografik të bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet”.

Related posts

Osmani për Asociacionin: Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit

rezart morina

SBASHK-u: Shkresa e Avokatit të popullit nuk solli asgjë të re, greva vazhdon

admin

Vrasja e Agonis Tetaj, Shaban Gogaj edhe në rigjykim dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim

RTI