RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Erdoğan: Një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara

erdogan:-nje-bote-e-drejte-eshte-e-mundur,-por-jo-me-shtetet-e-bashkuara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), raporton Anadolu.

“Për fat të keq, armëpushimi (në Gaza) u refuzua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vetëm Amerika e refuzoi atë. E vetme. A është kjo drejtësi?…Një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse Amerika po radhitet në anën e Izraelit”, tha Erdoğan duke folur në Istanbul në një program të organizuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut.

“Për shkak të vetos nga ShBA-ja, nuk u arrit asnjë vendim. Është thelbësore që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të reformohet”, tha Erdoğan.

“Kemi humbur shpresën dhe pritjet tona nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Që nga 7 tetori, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, misioni i të cilit është të vendosë paqen globale, është kthyer në një mbrojtës të Izraelit”, shtoi ai.

ShBA-ja vuri veto të premten ndaj një rezolute, e cila u paraqit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe u mbështet nga mbi 90 shtete anëtare, që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Pati 13 vota pro, kurse Mbretëria e Bashkuar abstenoi.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Rreth 17.500 palestinezë janë vrarë në enklavën e rrethuar nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite që nga ofensiva e Hamasit më 7 tetor.

Erdoğan theksoi se qeveria izraelite, me mbështetje të plotë të Perëndimit, po kryen mizori dhe masakra në Gaza që turpërojnë njerëzimin në tërësi.

“Kasapat e Gazës” duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit, tha Erdoğan, duke shtuar se ata do të mbajnë përgjegjësi “herët a vonë”.

Presidenti turk tha se Deklarata Universale e OKB-së për të Drejtat e Njeriut po shkelet hapur në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze.

“Ata (Perëndimi) legjitimuan, miratuan, inkurajuan veprime kundër Islamit dhe muslimanëve nën pretekstin e lirisë”, tha po ashtu Erdoğan.

Related posts

Vrasja në Prizren dyshohet se ndodhi për shkak të një fature

admin

Ministri ekstremist izraelit viziton burgun Ofer, mbikëqyr abuzimin ndaj të burgosurve palestinezë

Hevzi

Punëtorët e Amazon organizojnë protesta

admin