Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në Twitter ka shkruar se Aleanca e Popullit e dha provën e parë të zgjedhjeve më kritike të Turqisë dhe u beson qytetarëve për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Suksesin e zgjedhjeve të 14 majit ta kurorëzojmë me një fitore të madhe më 28 maj ka shkruar në Twitter, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan. Me lejen e Zotit, presidenti turk tha se 28 majin do ta bëjnë lajmëtar të Shekullit të Turqisë.
Aleanca e Popullit sipas presidentit turk e dha provën e parë të zgjedhjeve më kritike të Turqisë, me shumë mirënjohje.
“Luftuam fort pa provokime, duke injoruar presionet, pa u trembur, pa u dorëzuar përballë vështirësive. Falënderoj secilin prej jush për mundin, përpjekjet dhe sakrificat tuaja. E falënderoj Zotin tim një mijë herë që më dha bashkudhëtarë si ju. Tani është koha që suksesin që arritëm më 14 maj ta kurorëzojmë me një fitore më të madhe. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 28 maj, një ditë pas 63-vjetorit të grushtit të shtetit të 27 majit”, shkruan presidenti Erdoğan.
Ai mes të tjerash thekson se janë një aleancë që vendos vullnetin kombëtar dhe dashurinë për t’i shërbyer vendit dhe kombit në qendër të politikës së saj.
“Ne mund të shlyejmë borxhin tonë të mirënjohjes ndaj kombit tonë, i cili është kujdesur për ne dhe ka sfiduar tanket për këtë kauzë kur ishte e nevojshme, duke punuar më shumë dhe duke vrapuar më shumë”, thotë presidenti turk.
“Turqia pret shërbim nga ne, pret veprime, kombi ynë pret që ne të përmbushim qëllimet e veta. Të mbijetuarit tanë të tërmetit presin që t’ua shërojmë plagët sa më parë. Tashmë kemi nisur punën për zgjedhjet e 28 majit, pasi u zbardh ngjyra e kutisë së votimit. Shpresojmë që ditët e ardhshme t’i vlerësojmë në mënyrën më të mirë dhe produktive”, shkruan presidenti turk.