Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia është e kënaqur me zhvillimin e bashkëpunimit me SHBA-në, raporton Anadolu.
“Ne kemi zgjidhur shumicën e ngërçeve tona gjatë bisedimeve me Biden-in dhe kemi vendosur të zhvillojmë më shumë bisedime”, tha presidenti Erdoğan gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues të instituteve kërkimore në New York, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Presidenti turk tha se të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin në përpjekjet kundër terrorizmit që paraqet, siç theksoi ai, “kërcënim për të dy vendet”.
Në lidhje me mbështetjen e SHBA-së për YPG/PKK-në terroriste në veri të Sirisë, Erdoğan theksoi se nuk mund të ketë partneritet me grupet terroriste.
“Çdo zhvillim në rajonin tonë demonstron se sa i gabuar është dallimi midis terroristëve të mirë dhe terroristëve të këqij. Nuk ka negociata me terroristët dhe nuk mund të vendoset miqësi apo partneritet me ta”, theksoi Erdoğan.
Në fjalën e tij, presidenti turk gjithashtu përmendi kontributin e Turqisë në zgjidhjen e problemeve globale dhe rajonale, promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe adresimin e padrejtësive brenda sistemit ndërkombëtar.
Duke iu referuar luftës së vazhdueshme në Ukrainë, Erdoğan tha se Ankaraja po punon në mënyrë aktive drejt përfundimit të konfliktit me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ai theksoi angazhimin e Turqisë ndaj diplomacisë si një mjet për të vendosur paqen e përhershme në të gjitha zonat e konfliktit dhe për të zgjeruar rrjetin e miqësive ndërkombëtare.
Presidenti turk po ashtu theksoi rëndësinë e forcimit të solidaritetit ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër grupeve terroriste si PKK, DEASH dhe FETO-s, grupit terrorist që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për një kthim me dinjitet dhe të sigurt të refugjatëve sirianë në vendin e tyre.
Presidenti Erdoğan aktualisht ndodhet në New York për të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti turk do të mbajë fjalimin e tij gjatë ditës së nesërme.