Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një intervistë për CNN International, shprehu bindjen se populli turk do të dëshmojë edhe një herë demokracinë turke në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj, pas pjesëmarrjes “së pashembullt” në votimin e javës së kaluar, transmeton Anadolu.
Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetares Becky Anderson nga CNN International, ku bëri vlerësime mbi shumë tema, nga procesi zgjedhor e deri te politika e jashtme.
Lidhur me pyetjen: “Në 20 vitet e fundit në çdo zgjedhje keni fituar lehtësisht, keni thyer rekorde. Për herë të parë në historinë e Turqisë zgjedhjet shkuan në raundin e dytë. Sa rehat ndiheni për momentin?”, Erdoğan tha: “Besoj që në zgjedhjet e së dielës së ardhshme populli im do të dëshmojë fuqinë e demokracisë turke. (Në raundin e parë) Kishim një dalje që arriti deri në 90 për qind. Kjo është një pjesëmarrje e pashembullt. Është e paprecedentë në botë. Unë shpresoj që edhe në këto zgjedhje populli im nuk do të na zhgënjejë”.
Pasi u rikujtua se “e ka dënuar deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden që gjatë fushatës së tij zgjedhore i ka thënë atij autokrat”, Erdoğan tha: “A mund të bëhet diktator një njeri që shkon në raundin e dytë, e jo në të parin? Ky është realiteti. Alenca Popullore do të hyjë në parlament me 322 deputetë dhe kryesuesi i kësaj të shkojë i pari në raundin e dytë. Çfarë diktature është kjo?”.
I pyetur “Vallë do të punoni me administratën e Bidenit nëse rizgjidheni?”, presidenti Erdoğan u përgjigj: “Padyshim. Do të punoj edhe me zotëri Bidenin. Nëse Biden ndryshohet, do të punoj edhe me këdo do që të vijë në vendin e tij”.
Lidhur me mospajtimin me qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë gjatë konfliktit me Rusinë dhe deklaratën e tij që “Perëndimi ndjek më shumë një politikë të bazuar në provokim”, presidenti turk u pyet: “A do të thotë provokim dërgimi i ndihmës së madhe gjithëpërfshirëse ushtarake dhe financiare në Ukrainë?”.
“Perëndimi në këtë pikë nuk ka shfaqur një qasje të ekuilibruar. Do të ishte më e qëlluar një qasje e ekuilibruar ndaj një shteti si Rusia. Ashtu siç unë i zhvilloj marrëdhëniet e mia me zotëri Putinin, edhe Perëndimi duhej t’i zhvillonte. Sepse në botë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Pra, ashtu siç unë bisedoj me çdo shtet të Perëndimit, në këtë drejtim bisedoj në atë mënyrë edhe me zotëri Putinin. Po ashtu, në Korridorin e Drithërave të Detit të Zi, ne kemi ardhur në atë pikë ku kemi plotësuar nevojat jo vetëm të vendeve perëndimore, por edhe të vendeve afrikane. Shikoni, tani, duke filluar nga 18 maji, kemi zgjatur për dy muaj procesin e drithërave. Si ndodhi kjo? Falë marrëdhënies sonë të veçantë me zotëri Putinin”, u shpreh presidenti turk.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me sanksionet e perëndimit ndaj Rusisë, Erdoğan u shpreh: “Nuk kemi probleme në marrëdhëniet me Rusinë dhe nuk do të vendosim kurrë sanksione si Perëndimi. Sanksionet perëndimore nuk na detyrojnë”.
Erdoğan: Turqia nuk do të tërhiqet nga Siria, kërcënimi terrorist vazhdon
Duke thënë se opozita po bën thirrje për dëbimin masiv të refugjatëve sirianë që ndodhen në Turqi, Erdoğan vuri në dukje se “është e pamundur të pajtohesh me këtë”.
“Por mund të them se OJQ-të turke tani po bëjnë punë serioze në drejtim të rindërtimit në veri të Sirisë. Ata po ndërtojnë shtëpi. Këto shtëpi janë ndërtuar në mënyrë që sirianët në Turqi të kthehen në atdheun e tyre”, tha ai, duke shtuar:
“Tani po bëjmë një hap tjetër. Në fakt, ne kemi përgatitur edhe disa projekte që lidhen me ndërtimin e banesave në Siri për kthimin e afro një milion refugjatëve në tokat e tyre. Këto janë projekte mjaft të bukura. Së bashku me këto projekte, ne do të sigurojmë që refugjatët sirianë të kthehen në vendet e tyre, në tokat e tyre”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse rivendosja e marrëdhënieve me presidentin sirian Bashar al-Assad është një mundësi, Erdoğan tha: “Kam bërë disa komente për këtë. Unë kisha një miqësi me familjen Assad. Dikur takoheshim si familje. Ne ishim në një pozicion të tillë. Fatkeqësisht, për shkak të disa zhvillimeve të mëvonshme, pati një ndërprerje në marrëdhëniet tona të ngushta. Kjo ndërprerje na mërziti.”
“Përmes miqësisë sime me presidentin Putin, ne menduam se mund të hapnim një derë, veçanërisht në luftën tonë kundër terrorizmit në pjesën veriore të Sirisë, që kërkon bashkëpunim dhe solidaritet të ngushtë. Nëse ne mund ta bëjmë këtë, thashë se nuk shoh asnjë pengesë që do të mbetet në rrugën e pajtimit tonë”, shtoi ai.
Kur u pyet në lidhje me kërkesën e Assadit ndaj Turqisë për të tërhequr ushtrinë e saj nga Siria në mënyrë që të realizohet një takim, Erdoğan tha: “Ne kemi më shumë se 900 kilometra kufi dhe ekziston një kërcënim i vazhdueshëm terrorist nga ata kufij në vendin tonë. Arsyeja e vetme që ne kemi një prani ushtarake në kufi është për të luftuar terrorizmin. Kjo është arsyeja e vetme.”
Erdoğan tha se Turqia nuk do të tërhiqet nga Siria sepse “kërcënimi terrorist vazhdon”.
Aleanca Popullore e presidentit Erdoğan fitoi shumicën në parlament, ndërsa gara presidenciale do të shkojë në një raund të dytë më 28 maj.
Në raundin e parë të mbajtur më 14 maj, asnjë kandidat nuk fitoi një shumicë të plotë, ndonëse Erdoğan kryesonte.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Erdoğan do të përballet me Kemal Kılıçdaroğlu-n, kreun e koalicionit më të madh opozitar të kyesuar nga Partia Popullore Republikane (CHP).