RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Escobar: Nuk shoh njëanshmëri te Lajçaku në dialog

escobar:-nuk-shoh-njeanshmeri-te-lajcaku-ne-dialog

“Nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për ta çuar përpara interesin e Serbisë”, ka thënë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për akuzat e Kosovës ndaj emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për anshmëri kah Serbia.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Escobari është shprehur i shqetësuar për kritikat e Kosovës ndaj Lajçakut.

Escobari ka deklaruar se nuk ka alternativë përveç dialogut.

“Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, ka thënë Escobari. “Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian”.

I pyetur a ka mundësi që si pasojë e moszbatimit të marrëveshjeve Kosova e Serbia të përballen me masa shtesë, Escobari ka thënë se do të preferonte t’i quante “pasoja”.

Për Kosovën ai ka thënë se mund të ketë mosangazhim të BE-së për integrimin e Kosovës.

“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim. Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”, ka thënë Escobar.

Sipas tij, masat s’kanë afat teksa ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës dhe se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Related posts

Xhaferi: Maqedonia e Veriut është e predispozuar të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

rezart morina

Paralajmërimet e Rusisë për armë bërthamore, SHBA: Retorika e Putinit, e pamatur dhe e papërgjegjshme

admin

Gërvalla në OKB i thotë në sy Daçiqit: Je përgjegjës për vrasje masive e dhunime, duhet të gjykohesh

admin