RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Escobar: Serbia është zotuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përballet me pasoja nëse vepron ndryshe

escobar:-serbia-eshte-zotuar-per-pjesemarrje-ne-zgjedhje,-perballet-me-pasoja-nese-vepron-ndryshe

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, teksa ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

Duke folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transaltantike.

Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai është ndalur sidomos të Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në mars të këtij viti – duke thënë se ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme që dy vendet të krijojnë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.

Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

“Rusia mbetet ofrues ekskluziv i gazit natyror për disa vende të Ballkanit Perëndimor, një kërcënim serioz për sigurinë rajonale. Teksa e zhvillon luftën kundër Ukrainës, Kremlini përhap dezinformata – shpesh përmes mediave në gjuhën serbe – me qëllim të krijimit të ndasive dhe rritjes së tensioneve fetare dhe etnike.

Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve.

“Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.

“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre – të ardhme në të cilën qeveritë mbahen përgjegjëse, mbështetja për të drejta të njeriut është e madhe, dhe ku të gjithë përfitojnë nga siguria ekonomike.

Për Bosnje – Hercegovinën

Escobar ka thënë se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës. /REL

Related posts

Macron: Armenia dhe Azerbajxhani të fillojnë negociatat e paqes sa më parë

admin

Kosova importoi mbi 26 milionë euro mallra nga pesë shtetet që s’e kanë njohur Kosovën

admin

DASH njofton se Gabriel Escobar do të marrë një detyrë të re nga java e ardhshme

admin6