Zjarret e nxitura nga nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta kanë përfshirë një pjesë të Evropës të premten, duke i detyruar autoritetet e shteteve të urdhërojnë evakuim të zonave të caktuara e të shpallin edhe gjendje emergjente
Zjarret e përhapura nga temperaturat përvëluese dhe erërat e forta kanë përfshirë pjesë të Evropës Perëndimore të premten, derisa në Spanjë është shpallur gjendje emergjente kombëtare.
Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin total të gadishullit Cap Ferret, vend turistik në bregdetin e Atlantikut, duke dërguar barka për të ndihmuar njerëzit të largohen nga zona e kërcënuar nga një zjarr i madh.
Urdhri për evakuim total të zonës, e cila karakterizohet me prona të vlefshme dhe aktualisht është plot me turistë, ka nënvizuar ashpërsinë e zjarrit.
Zjarri ka përfshirë tashmë 10,000 hektarë tokë dhe ka vazhduar të përhapej me shpejtësi.
Sipërfaqja totale e tokës së djegur deri tash këtë vit në vendet e BE-së është e dyta më e madhe e regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave satelitore nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje.
Franca ka thirrur mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian për të kërkuar ndihmë, ka bërë të ditur të premten presidenti francez, Emmanuel Macron, duke paralajmëruar se kriza mbetet “shumë intensive”.
“Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar me zjarret që godasin vendin tonë, veçanërisht në Gironde. Franca ka kërkuar aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian. Së shpejti do të jemi në gjendje të mbështetemi në përforcime nga dy avionë kroatë Canadair, dy aeroplanë portugezë Air Tractor, si dhe dy helikopterë të rëndë Black Hawk nga Republika Çeke dhe Sllovakia”, ka deklaruar Macron.
Masa, e njoftuar nga Ministria e Brendshme, synon të mobilizojë dhe centralizojë burimet më shpejt për të luftuar zjarret, për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa zjarreve, kushteve të pafavorshme të motit dhe nevojës për të mobilizuar burime të gjera nga administrata të ndryshme publike, duke rritur kompleksitetin e përpjekjeve për shuarjen e zjarreve dhe mbrojtjen civile. Autoritetet spanjolle po ashtu kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian katër aeroplanë për shuarjen e zjarreve.
Kryeministri spanjoll e ka përshkruar si dramatike situatën aktuale me zjarret që kanë shkatërruar mijëra hektarë tokë në të gjithë Spanjën dhe vendet fqinje dramatike.
Më shumë se 100,000 hektarë janë djegur në Spanjë deri më tani këtë vit, afërsisht ekuivalente me sipërfaqen mesatare vjetore të djegur të vendit gjatë dekadës së fundit. Trembëdhjetë persona kanë vdekur, duke e bërë vitin 2026 një nga sezonet më vdekjeprurëse të zjarreve në dekada.
E mijëra zjarrfikës në Itali kanë vazhduar përpjekjet për shuarjen e dhjetëra zjarreve aktive në Siçili dhe rajonin e Kalabrisë. Autoritetet e këtij vendi kanë nisur hetimet nëse bëhet fjalë për raste të zjarrvënieve të qëllimshme. Një zyrtar lokal ka thënë se zjarrvënësit kishin ndezur zjarre duke lidhur lecka të zhytura në lëng të ndezshëm në bishtat e maceve të humbura për të përhapur flakët.
Pjesa më e madhe e Evropës po përballet me sezone gjithnjë e më të ashpra zjarresh në pyje, të cilat shkencëtarët i kanë lidhur me ndryshimet klimatike. /koha

