Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) parashikon se nga kjo javë Evropa pritet të hyjë nën ndikimin e vapës së madhe ku temperaturat në Siçili dhe Sardenjë do të arrijnë në 48 gradë Celsius, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga ESA bëhet e ditur se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia do të përballen me valën e motit të nxehtë. Zonës së presionit të lartë iu vendos emërtimi Cerberus i cili përmendet në “ferrin” të përshkruar nga shkrimtari italian Dante.
Temperatura më e lartë në historinë e Evropës, u mat vitin e kaluar me 48.8 gradë në Floridia të Italisë rikujtohet në deklaratën ku vihet në dukje se ky rekord mund të thyhet sërish këtë vit.
Pritet që temperatura të arrijë në 48 gradë në ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës në Mesdhe.
Aktualisht temperaturat në rajonet si Roma, Napoli, Taranto dhe Foggia në Itali vazhdojnë të jenë të larta, thuhet në deklaratën ku shtohet se javën e ardhshme temperatura do të kalojë 44 gradë në rajonet qendrore të Spanjës.
Benjamin Koetz, i cili punon në misionin e monitorimit të temperaturës së sipërfaqes së tokës të ESA-s, vlerësimet e të cilit janë përfshirë në deklaratë tha se ndikimi i ngrohjeve të parregullta të ujit (El Nino) të formuara me intervale të parregullta në Oqeanin Paqësor këtë vit u vërejtën në shumë fusha, nga klima e deri në prodhimin e ushqimit dhe nga shëndeti e deri tek uji.
Muaji qershor u regjistrua si muaji më i ngrohtë i historisë së botës duke u rritur me rreth 1 gradë mbi vlerën e matur në vitin 1976.
Ndërsa në Evropë muajt e dimrit të vitit 2022 u regjistruan si dimri më i ngrohtë i historisë.
Revista Nature Medicine në të cilën paraqiten studime akademike në fushën e mjekësisë, vuri në dukje se rreth 60 mijë persona humbën jetën kryesisht në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali për shkak të valës së të nxehtit i cili ishte efektiv verën e kaluar në Evropë.
Kryqi i Kuqi ka marrë parasysh këtë situatë dhe u ka bërë thirrje turistëve dhe qytetarëve të jenë të kujdesshëm për shkak se kjo verë do të jetë më e nxehtë.