Familja e gazetares së vrarë të Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, hodhi poshtë gjetjet izraelite për vrasjen e saj dhe bëri thirrje për një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), raporton Anadolu Agency (AA).
Ushtria izraelite tha më herët gjatë ditës se gazetarja palestineze mund të jetë vrarë “gabimisht” me armë zjarri nga një ushtar izraelit, duke përmendur një “mundësi të madhe” që gazetarja të ishte vrarë “gabimisht nga të shtëna me armë zjarri” nga ushtarët që qëllonin mbi personat e armatosur palestinezë gjatë përleshjeve.
Në një deklaratë, familja e të ndjerës Abu Akleh akuzoi qeverinë dhe ushtrinë izraelite “për përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur përgjegjësinë” për vdekjen e gazetares.
“Ne e dimë për më shumë se katër muaj se një ushtar izraelit qëlloi dhe vrau Shireen pasi hetime të panumërta të kryera nga CNN, Associated Press, New York Times, Al Jazeera, Al-Haq, B’tselem, Kombet e Bashkuara dhe të tjerët kanë ardhur në të njëjtin përfundim”, thuhet në deklaratë, ku theksohet: “E megjithatë, siç pritej, Izraeli ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për vrasjen e Shireen”.
“Familja jonë nuk është e befasuar nga ky rezultat pasi është e qartë për këdo që kriminelët izraelitë të luftës nuk mund të hetojnë krimet e tyre. Megjithatë, ne mbetemi thellësisht të lënduar, të frustruar dhe të zhgënjyer”, thuhet në deklaratë.
“Meqenëse Izraeli nuk është në gjendje të përballet me përgjegjësinë, ne kërkojmë një hetim gjithëpërfshirës nga GJNP”, shtoi familja.
Abu Akleh u vra më 11 maj dhe Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se ajo u qëllua në kokë teksa mbulonte një sulm ushtarak izraelit në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.
Disa agjenci kryesore mediatike, duke përfshirë Al Jazeera, CNN, Associated Press, Washington Post dhe New York Times, kryen hetimet e tyre, të cilat të gjitha përfunduan që Abu Akleh u vra nga një plumb izraelit. /aa