Fëmijët në qytetin Derna të Libisë po vuajnë nga depresioni dhe humbja e të folurit, ndërsa disa madje kanë tentuar edhe vetëvrasjen pasi stuhia mesdhetare “Daniel” bëri kërdi në qytetin e tyre.
Derna u godit më së shumti nga përmbytjet e 10 shtatorit, duke bërë që digat e qytetit të shpërthejnë, gjë që shkaktoi rrëmbimin e shtëpive nga ujërat dhe mijëra viktima.
“Afro 300.000 fëmijë vlerësohet të jenë ekspozuar ndaj stuhisë së fuqishme ‘Daniel’ në gjithë Libinë lindore”, deklaroi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) më 14 shtator.
“Numri i fëmijëve të prekur përfaqëson një brez të tërë”, tha për Anadolu psikiatri libian Shaheen Al-Zayani.
Al-Zayani shpjegoi se “fëmijët që janë ekspozuar ndaj katastrofës së përmbytjeve janë prekur rëndë psikologjikisht”.
“Kjo situatë fatkeqësisht do të hedhë një hije mbi gjithë vendin në të ardhmen”, shtoi ai.
Stuhia “Daniel” goditi Libinë lindore më 10 shtator, duke çuar në përmbytje në disa qytete, si Bengazi, Bayda, Al-Marj, Soussa dhe Derna, duke rezultuar në shkatërrim masiv të infrastrukturës dhe humbje të konsiderueshme jetësh.
Më 14 shtator, autoritetet në Libinë lindore thanë se numri i të vdekurve ishte 3.845 njerëz.
Skena të frikshme
“Shumë fëmijë kanë rënë në gjendje depresioni, të tjerë kanë humbur aftësinë për të folur për shkak të tmerrit që përjetuan gjatë përmbytjeve që përfshinë Dernën”, tha mjeku libian.
“Disa fëmijë u bllokuan brenda shtëpive të tyre me trupa para tyre derisa u shpëtuan”, tha Al-Zayani.
Kohëzgjatja e përmbytjeve pas stuhisë, sipas Al-Zayanit, “vlerësohet në më shumë se 15 orë, gjatë së cilës këta fëmijë ose ishin nën rrënojat e shtëpive të tyre, ose u rrëmbyen nga uji në disa vende, ose pranë trupave të njerëzve të tjerë, madje edhe trupave të anëtarëve të familjeve së tyre, siç ka ndodhur në disa raste në Derna”.
Psikiatri libian shpjegoi se “perceptimi i një fëmije për një fatkeqësi të tillë është krejtësisht i ndryshëm nga ai i një të rrituri”.
“Një nga rastet më të vështira psikologjike që kam hasur mes këtyre fëmijëve ishte i një djali të transferuar së bashku me motrën e tij nga Derna në Bengazi”, tha Al-Zayani.
“Pasi humbi të dy prindërit e tij, ky fëmijë tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga një vend i lartë shumë herë dhe këtë e bëri pa vetëdije”, shtoi mjeku.
– Zhvendosja
“Shumë fëmijë duhej të transferoheshin në Bengazi”, tha Al-Zayani, duke vënë në dukje se “kjo lloj zhvendosjeje do të pengojë rritjen psikike të këtyre fëmijëve”.
Sipas shifrave të OKB-së, më shumë se 40.000 njerëz janë zhvendosur për shkak të përmbytjeve shkatërruese.
“Për një fëmijë, të lësh shkollën, shtëpinë dhe fqinjët dhe papritmas të gjendesh në një mjedis tjetër që është më pak i sigurt dhe qetësues, është një përvojë shumë negative”, shpjegoi Al-Zayani.
“Ky mjedis i ri vetëm i konfirmon fëmijës se ai po përjeton vërtet një krizë”, tha Al-Zayani, duke theksuar: “Fëmijët supozohet të mbahen larg çdo situate të jashtëzakonshme për t’i përgatitur ata për trajtim psikologjik post-traumatik”.
– Ndihmë psikologjike për të mbijetuarit
“Të gjithë banorët e qytetit Derna janë në një gjendje shoku të vërtetë për shkak të shkallës së fatkeqësisë, e cila konsiderohet e paprecedentë në historinë e Libisë”, tha për Anadolu Saad El-Din Abdel-Wakil, nënsekretar i Ministrisë së Shëndetësisë të vendit në Qeverinë e Unitetit Kombëtar.
Abdel-Wakil tha se autoritetet “po punojnë për një program mbështetës gjithëpërfshirës për të ofruar ndihmë psikologjike për të mbijetuarit nga përmbytjet”.
Abdel-Wakil shpjegoi se “institucionet e lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë, duke përfshirë spitalet psikiatrike, Fondacionin e Kujdesit Shëndetësor, Gjysmëhënën e Kuqe dhe disa institucione të tjera të çështjeve sociale, kanë filluar detyrat e tyre që nga java e kaluar, duke u fokusuar, në afat të shkurtër, për ofrimin e mbështetjes psikologjike”.
Zyrtari theksoi se “disa agjenci, institucione, qendra kërkimore dhe ekipe të lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë do të shpallin në ditët në vijim një punë të përbashkët nëpërmjet së cilës do të studiohen shumë çështje psikologjike dhe sociale që rezultuan nga fatkeqësia e përmbytjeve”.