Viti i Ri 2023 është pritur me muzikë, argëtim dhe fishekzjarre në mesnatë në sheshet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Me një pamje spektakolare me ndezjen e fishekzjarreve që krijuan drita shumëngjyrëshe mijëra qytetarë të tubuar në sheshe dhe rrugët e qyteteve pritën Vitin e Ri.
– Maqedoni e Veriut
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, një numër i madh qytetarësh e pritën Vitin e Ri në sheshin “Maqedonia”, ku u argëtuan nga grupe të ndryshme muzikore nga vendi.
Në koncert performuan muzikantë dhe grupe të shumta nga vendi, veçanërisht Elena Risteska.
Një pjesë e qytetarëve e pritën Vitin e Ri në një atmosferë shtëpiake, në rrethin e familjes.
– Shqipëri
Nata e ndërrimit të viteve në Shqipëri është pritur me evente dhe aktivitete të ndryshme, ndërkohë në Tiranë është organizuar spektakli tradicional i fishekzjarrëve dhe koncert.
Me rastin e Vitit të Ri 2023, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës janë organizuar evente të ndryshme në kryeqytetin e Shqipërisë.