Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, është takuar me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, për të diskutuar lidhjet dypalëshe dhe çështjet rajonale, përfshirë luftën në Ukrainë, raporton Anadolu.
Në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të G20-tës, të mbajtur në Rio de Janeiro të Brazilit, ministri turk i tha homologut të tij rus se Turqia shpreson për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.
Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan gjithashtu tha se Turqia mbështet të gjitha nismat që synojnë ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.
Gjatë takimit u planifikuan edhe vizitat e nivelit të lartë për periudhën e ardhshme, si dhe u diskutuan zhvillimet dypalëshe dhe rajonale.
Burimet diplomatike shtuan se dy ministrat gjithashtu shkëmbyen mendime mbi “situatën e rëndë humanitare” në Rripin e Gazës dhe hapat që mund të ndërmerren.