Hyrja e karburantit përmes kamionëve të ngarkuar ka filluar nga Egjipti në Rripin e Gazës në kuadër të “marrëveshjes për pauzë humanitare për përleshjet”, raporton Anadolu.
Burimet nga ana e Gazës në kalimin kufitar Rafah për Anadolu konfirmuan se ka filluar hyrja e karburantit.
Theksohet se kamionët e ndihmës në fjalë transportojnë karburant dhe gaz për t’u përdorur në bombolat e kuzhinës.
Kur Izraeli bllokoi hyrjen e karburantit në Rripin e Gazës, shumë spitale nuk mund të vazhdonin aktivitetet e tyre sepse mbetën pa energji elektrike, ambulancat ishin jashtë shërbimit dhe mjekët kryenin operacione me dritat e celularit.
I vetmi termocentral në rajon, në javën e parë të konfliktit në Gaza, ndaloi prodhimin e energjisë elektrike për shkak të mungesës së karburantit.
Më pas edhe spitalet, kompanitë e telekomunikimit, qendrat e shëndetësisë, gjeneratorët që përdoren nëpër shtëpitë dhe puset për ujë nuk kishin karburant.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit, duke vrarë më shumë se 14.854 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve të enklavës.
Sipas marrëveshjes së arritur gjatë 4 ditëve për 50 izraelitë të burgosur të liruar 150 palestinezë pritet t’u ribashkohen familjeve të tyre.