Avokati i ushtarit të FSK-së, Azem Kurtajt, Naim Ferati, ka treguar për ngjarjen ku klienti i tij, dy ditë më parë dyshohet se plagosi dy qytetarë serbë në Shtërpcë.
Kurtaj theksoi se i mbrojturi i tij ishte duke udhëtuar për në Brezovicë, ku është ndalur dhe sulmuar nga një turmë e njerëzve që kishin qenë duke festuar.
Avokati shpjegoi se Kurtaj fillimisht kishte gjuajtur në ajër, por që turma nuk ishte zmbrapsur.
“Të premten pasdite i mbrojturi im së bashku me mikun e tij ishin duke udhëtuar për në Brezovicë, papritmas gjatë rrugës në një vend të caktuar, bllokohen nga një turmë e njerëzve, të cilët po festonin dhe në befasi sulmohen me mjete”, tha Ferati.
Ferati potencoi se Kurtaj është detyruar të gjuajë edhe njëherë drejt tokës, dhe në ato momente është larguar nga vendi, pas qenë sipas tij, i informuar se dikush mund të jetë lënduar, shkruan KlanKosova.
“Në bazë të rrezikut, i njëjti ka provuar të largohet, ka qenë i bllokuar nga turma vetura e tij, në vetëmbrojtje me qëllim të spostimit apo të largimit të rrezikut, ka shkrepur një herë me armën e tij që e kishte në posedim, armën e tij personale. Ka shkrepur një herë njëherë në ajër, që të largohet masa. Për shkak të rrethanave dhe të sulmit që ka pësuar në ato momente, i njëjti është detyruar që të shkrepë edhe njëherë në drejtim të tokës, këtë rast drejt asfaltit, dhe në ato momente ka arritur të largohet nga vendi, pa qenë i informuar se dikush mund të jetë i lënduar. Ka shkuar në Prevallë, dhe nga rrjetet sociale ka kuptuar se dikush mund të jetë lënduar”, ka vazhduar ai.
Sot, është mbajtur seanca dëgjimore, ku pritet që Gjykata të dalë me një komunikatë në lidhje me vendimin e tij.