RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Flet shumë, vepron pak: ç’po ndodh me diplomacinë e Kajros?

flet-shume,-vepron-pak:-c’po-ndodh-me-diplomacine-e-kajros?

Me këtë qasje, Egjipti po humbet peshë në rajon

Përballë krizave që kanë përfshirë Lindjen e Mesme pas sulmit 7 tetorit 2023, Egjipti ka luajtur një rol shumë më të vogël nga sa do të pritej prej një vendi arab me popullsinë më të madhe, një ushtri të fuqishme dhe pretendime historike për të qenë qendra diplomatike e botës arabe.

Ndërsa ndikimi rajonal është zhvendosur drejt Riadit, Abu Dhabit dhe Dohas, Kajro është dukur gjithnjë e më shumë si një aktor që përpiqet të mos humbasë asnjë palë, pa pasur domosdoshmërisht peshën për të përcaktuar lojën.

Qasja ndaj Gazës e tregon më së miri këtë dilemë. Presidenti Abdel Fattah al-Sisi duhej të merrte parasysh mbështetjen e fortë të opinionit publik egjiptian për palestinezët, ndërsa njëkohësisht donte të ruante marrëdhëniet strategjike me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Kajro dënoi sulmet izraelite, kërkoi mbrojtjen e civilëve dhe në maj 2024 iu bashkua çështjes së Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid.

Por në terren, Egjipti vazhdoi të mbante të kontrolluar kufirin me Gazën dhe të kufizonte kalimin përmes Rafahut. Vendosja e forcave në Sinai, shërbeu njëkohësisht si sinjal ndaj Izraelit dhe si garanci që Gadishulli të mos shndërrohej në një zonë zhvendosjeje për palestinezët.

Pra Kajro tentoi të dukej e vendosur në mbështetje të Gazës, pa prishur marrëdhëniet e saj të sigurisë me Izraelin dhe SHBA-në.

Egjipti ka edhe një avantazh real: kanalet e komunikimit me Hamasin dhe Izraelin. Inteligjenca egjiptiane e kishte paralajmëruar Izraelin para 7 tetorit për përgatitjet e Hamasit dhe gjatë luftës vazhdoi koordinimin me homologët izraelitë.

Megjithatë, rezultati i përgjithshëm i kësaj diplomacie ka qenë më shumë simbolik sesa vendimtar. E njëjta logjikë u shfaq gjatë përshkallëzimit me Iranin.

Ministri i Jashtëm Badr Abdelatty, mori pjesë në përpjekjet diplomatike së bashku me Arabinë Saudite, Turqinë, Katarin dhe Pakistanin.

Por, krahasuar me këta aktorë, Egjipti kishte më pak ndikim të drejtpërdrejtë si në Teheran, ashtu edhe në Uashington. Prania e Kajros dukej më shumë si shenjë respekti për një fuqi tradicionale arabe sesa si dëshmi e një peshe reale në ndërmjetësim.

Marrëdhënia me Emiratet e Bashkuara Arabe, e ekspozoi edhe më qartë këtë dobësi. Pas vitesh mbështetjeje ekonomike për regjimin e Sisit, Emiratet pritën nga Egjipti më shumë se deklarata solidariteti kur sulmet iraniane prekën territorin e tyre.

Kur Kajro u tregua e kursyer në ndihmën konkrete, Abu Dhabi dha sinjale se mund të rishikonte mbështetjen ekonomike. Sisi reagoi duke dërguar avionë luftarakë Rafale në Emirate dhe duke vizituar presidentin Mohamed bin Zayed.

Por prova më e fortë e sjelljes kaotike egjiptiane është Deti i Kuq. Sulmet e Huthinjve kanë goditur rëndë të ardhurat e Kanalit të Suezit, duke i kushtuar Egjiptit rreth 10-–11 miliardë dollarë që nga viti 2023.

Megjithatë, kur Arabia Saudite kërkoi ndihmë më konkrete kundër kërcënimit nga huthinjtë, Kajro ofroi kryesisht deklarata solidariteti, premtime për bashkëpunim detar dhe mundësinë e ndihmës me mbrojtjen ajrore.

Prandaj, është e vështirë ta quash këtë diplomaci të paaftë. Sisi duket se ka zgjedhur një strategji mbijetese: të shmangë përplasjet, të ruajë kanalet me të gjitha palët dhe të marrë sa më shumë përfitime me sa më pak angazhim.

Por problemi është se një strategji e tillë mund të ruajë hapësirën diplomatike të Egjiptit, por nuk e rikthen domosdoshmërisht peshën e tij rajonale. Kajro vazhdon të jetë në tryezë, por gjithnjë e më shpesh duket se është aty sepse është Egjipti, dhe jo sepse ka fuqinë për të ndryshuar rezultatin. teshesh

Related posts

FOTO/ Përplasen tre makina, mes tyre edhe një mjet policie. Humbin jetën dy karabinierë, plagosen 4 persona të tjerë

admin

Izraeli vazhdon shkeljet në Sirinë jugore

RTI

Irani i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë ndaj kërcënimeve amerikane

Irfan Jahiu