Njëzet palestinezë humbën jetën në sulmet e forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në tri javët e fundit, sipas medias lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në Quds News me bazë në Palestinë, forcat izraelite kanë shtuar së fundmi sulmet e tyre ndaj palestinezëve. Tensionet po përshkallëzohen në rajon për shkak të bastisjeve dhe sulmeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Bastisjet nga forcat izraelite në lagjet e banuara me palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, që shpesh rezultojnë me vdekje ose të plagosur, shkaktojnë tensione në rajon.
Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi më 8 dhjetor se numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i vitit është rritur në 217, prej të cilëve 52 në Gaza dhe 165 në Bregun Perëndimor.
Në një deklaratë më 9 dhjetor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme jordaneze, Sinan al-Mejali reagoi, ndaj bastisjeve të kryera nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor dhe paralajmëroi se kjo mund ta tërheqë rajonin në një spirale të re dhune.
Në të njëjtën ditë, Ministria e Jashtme egjiptiane tha se “Këtë vit dëshmuam numrin më të madh të dëshmorëve palestinezë në vitet e fundit, me mbi 200 dëshmorë”.