RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

FSK drejt misionit historik në Gaza – Kuvendi jep dritën jeshile për pjesëmarrje në forcën paqeruajtëse ndërkombëtare

fsk-drejt-misionit-historik-ne-gaza-–-kuvendi-jep-driten-jeshile-per-pjesemarrje-ne-forcen-paqeruajtese-nderkombetare

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza, si pjesë e forcave paqeruajtëse.

Ky vendim u vlerësua nga deputetët e pozitës dhe opozitës si një hap i rëndësishëm historik për FSK-në dhe për shtetin e Kosovës, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve dhe besueshmërisë ndërkombëtare të saj.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, tha se ky vendim dëshmon pjekurinë institucionale të Kosovës dhe profesionalizmin e FSK-së, e cila sipas saj është e gatshme të marrë përgjegjësi edhe përtej kufijve të vendit. Ajo theksoi se mbështetja për këtë mision duhet të jetë e plotë dhe pa dilema, raporton lajmi.net.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, për ushtarin e Kosovës, është një strukturë serioze, profesionale dhe gjithmonë më e gatshme që të marrë përgjegjësi përtej kufijve të vendit. Kërkesa e FSK-së për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është në proces shqyrtimi në Kuvend; është një hap i rëndësishëm që tregon pjekurinë e shtetit tonë dhe besimin që kemi ndërtuar në kapacitetet tona mbrojtëse…”, ka deklaruar mes tjerash Musliu.

Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, vlerësoi se FSK-ja tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve ndërkombëtarë në misione paqeruajtëse, duke theksuar rëndësinë e garantimit të kushteve, ligjeve dhe pajisjeve adekuate për pjesëtarët e saj.

“Forcës së Sigurisë së Kosovës që tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në një mision paqeje në Gaza, por jo vetëm atje, por është e gatshme që të jetë kontribuese në të gjithë botën kudo që është e nevojshme. Ne si shtet, si kuvend, jemi të detyruar që t’i sigurojmë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të cilat i mbrojnë ata, nuk e cenojnë integritetin e tyre. Jemi përgjegjës që tashmë edhe e kemi bërë si kuvend dhe si qeveri që të mbështeten financiarisht me mjete, të kenë trajnime dinjitoze. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë në vazhdimësi. Dhe edhe njëherë i mbështesim të gjithë ata ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jenë në një mision paqeje”, deklaroi Selimi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm pozitiv për vendin, duke theksuar se pjesëmarrja në misione të tilla ndërkombëtare është dëshmi e rritjes profesionale të FSK-së dhe kërkoi mbështetje të plotë logjistike dhe institucionale për ushtarët që do të angazhohen.

Ky vendim konsiderohet si një nga hapat më të rëndësishëm të Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë dhe paqes.

Related posts

Ukrainasit po përpiqen ta çlirojnë Khersonin, një nga qytetet më të rëndësishme për Moskën

admin

Zelensky paralajmëron ukrainasit për sulme të mundshme ruse gjatë festave

admin

Gjuha që po mëson Papa Leo, si të ishte i ri shqiptar

Muhamet Ramadani