RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

FSK-ja planifikon t’i aftësojë qytetarët për ta mbrojtur shtetin

fsk-ja-planifikon-t’i-aftesoje-qytetaret-per-ta-mbrojtur-shtetin

Qeveria ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ për edukimin, vetëdijesimin dhe ngritjen e potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka paraparë ngritjen e ekipeve mobile nëpër komuna, në të cilat zyrtarë civilë dhe ushtarakë do të ligjërojnë dhe demonstrojnë edhe në praktikë aftësitë për mbrojtjen e shtetit. Aty do të synohet edhe “nxitja e vetëdijes qytetare dhe patriotike të të rinjve për shërbim në FSK”.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një politikë për t’i aftësuar të rinjtë për mbrojtjen e shtetit.

Ministria e Mbrojtjes (MM) ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ, i cili ka për qëllim përcaktimin e autoriteteve, përgjegjësitë, mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve të Kosovës për shërbim në fushën e Mbrojtjes. Udhëzimi është paraparë të zbatohet nga Ministria dhe nga Forca e Sigurisë (FSK) brenda territorit të shtetit, përkatësisht nga personeli civil dhe ushtarak që punojnë dhe shërbejnë në këto institucione.

“MM-ja dhe FSK-ja përmes mekanizmave dhe strukturave përkatëse organizative do të zhvillojnë procesin e edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes, me qëllim të vetëdijesimit dhe nxitjes së të kuptuarit publik për rëndësinë dhe angazhimin e tyre në fushën e mbrojtjes”, thuhet në nenin 4 të këtij dokumenti. “DBNj (Njësia e Burimeve Njerëzore v.j.) në MM dhe FSK-ja janë përgjegjëse për hartimin e planeve dhe programeve të edukimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”.

Është paraparë që MM-ja dhe FSK-ja të themelojnë ekipe mobile të përbëra nga zyrtarë civilë dhe ushtarakë, për t’i zbatuar programet e edukimit të qytetarëve, me theks të veçantë të të rinjve për rëndësinë e vetëdijesimit të tyre dhe angazhimit në fushën e mbrojtjes.

Në draftin e udhëzimit administrativ theksohet se MM-ja në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale do të themelojnë zyrat mobile në të gjitha rajonet e RKS-së, të cilat në vazhdimësi do të jenë në dispozicion të publikut.

“Zyrat mobile do të jenë të kompletuara me pajisje dhe me personel të trajnuar, i cili do të angazhohet për prezantimin e politikave të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në dokument.

Janë shtatë objektiva të fushatës së edukimit në fushën e mbrojtjes, të listuara në dokument: Përgatitja e planeve dhe programeve për edukimin dhe trajnimin e të rinjve për shërbim në FSK; Edukimi i të rinjve në mbrojtje të shtetit; Nxitja e vetëdijes qytetare dhe patriotike të të rinjve për shërbim në FSK; Sigurimi i shoqërisë me burimet e nevojshme informuese mbi rëndësinë e mbrojtjes shtetërore; Promovimi i mundësive për konkurrim dhe përzgjedhje në FSK; Bashkëpunimi me institucione, shoqata, OJQ dhe grupe të interesit, në fushën e mbrojtjes, nxitja e të kuptuarit publik për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në FSK; Prodhimi i materialeve audiovizuale mbi çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes shtetërore në bazë të standardeve më të larta.

Në dokument theksohet se MM-ja, në çdo tremujor të vitit të fundit, do të hartojë planet dhe programin për realizimin e aktiviteteve të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes për vitin vijues, të cilat duhet të aprovohen nga ministri. Aty theksohet se planifikimi i programeve të edukimit dhe zbatimi i tyre do të kalojë përmes ndërveprimit me institucionet e tjera në nivel vendi, veçmas me institucionet edukative-arsimore.

Në nenin e shtatë të draftit të udhëzimit administrativ janë listuar aspektet që duhet t’i përmbajë Programi për realizimin e aktiviteteve për edukimin, vetëdijesimin dhe angazhimin e qytetarëve në fushën e mbrojtjes. Janë pesë sosh: Ofrimi i informacioneve për fushën e mbrojtjes, motivimi dhe nxitja për përfshirje në FSK, përmes zyrave mobile, të qytetarëve të RKS-së; Takime/vizita në mjediset shkollore/arsimore, institucione, shoqata, OJQ etj.; Ligjërata për të rinj dhe qytetarë të moshave të tjera; Programet e inkuadrimit vullnetar; Mbajtja e orëve teorike; dhe Ofrimi i trajnimeve teorike dhe praktike për të rinjtë vullnetarë.

Sipas dokumentit, fushatat për edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve do të zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit kalendarik, bazuar në planin paraprak të aprovuar, me ngritje të shtuar të aktiviteteve informuese gjatë fushatave të rekrutimit në FSK.

“Fushatat informuese do të bëhen edhe përmes thirrjeve publike të të rinjve për pjesëmarrje masive në lokalitete (kazerma/amfiteatro), në të cilat do të ofrohen prezantime nga nivele të ndryshme zyrtarësh ushtarakë dhe civilë, me qëllim të vetëdijesimit dhe edukimin e tyre në fushën e mbrojtjes, si dhe përfshirjes sa më të gjerë të tyre në procesin e rekrutimit”, theksohet në dokument. “Zyrat mobile do të jenë struktura statike të vendosura në rajonet e Kosovës, dhe do të jenë në dispozicion të publikut në çdo ditë pune sipas orarit zyrtar të përcaktuar në Planin paraprak të aprovuar”.

Vetëvendosja që qeveris me vendin është zotuar se, kur ta marrë pushtetin, do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Por, pas marrjes së pushtetit, veprime për këtë nuk ka ndërmarrë, ndërkaq zyrtarë të saj kanë thënë se një politikë e tillë do të ishte e kushtueshme.

Related posts

Presidentja Osmani takohet me mbretin e Jordanisë: Të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe e stabilitet

rezart morina

Temperaturat ekstreme, qeveria shqiptare propozon uljen e orarit të punës për administratën

RTI

Pakënaqësitë ndaj Vuçiqit, protestuesit serbë përplasen mes vete

rezart morina