RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gati 147.000 jemenas zhvendosen në shtator mes përshkallëzimit të luftimeve

gati-147.000-jemenas-zhvendosen-ne-shtator-mes-pershkallezimit-te-luftimeve

Një organ qeveritar jemenas ka bërë të ditur se gati 147.000 persona janë zhvendosur këtë muaj mes përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak në vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.

Njësia Ekzekutive për Menaxhimin e Kampeve të Personave të Zhvendosur dokumentoi zhvendosjen e 21.583 familjeve, me gjithsej 146.943 persona, nga 1 deri më 18 shtator për shkak të përkeqësimit të kushteve të sigurisë.

Sipas organit qeveritar, zhvendosjet u regjistruan në tetë provinca, përkatëisht në Taiz dhe Lahj në jugperëndim, Aden, Abyan dhe Shabwa në jug, Al-Hudaydah në perëndim, si dhe Hadhramout dhe Al Mahrah në lindje.

Sipas raportit, Taiz pranoi numrin më të madh të të zhvendosurve, me 11.534 familje, ose 80.792 persona, të shpërndarë në 15 rrethe. Lahj u rendit e dyta, duke pranuar 5.472 familje me gjithsej 38.304 persona në nëntë rrethe.

Organi qeveritar regjistroi gjithashtu mbërritjen e 1.622 familjeve, me gjithsej 7.162 persona në Aden, shumica e të cilëve u strehuan nga familje vendase në disa distrikte.

Sipas tij, 1.471 familje, ose 10.297 persona, u zhvendosën në rrethet Hays dhe Al Khawkhah në Al-Hudaydah, ndërsa 1.278 familje të tjera, me gjithsej 8.946 persona, mbërritën në Abyan.

Organi regjistroi gjithashtu 110 familje të zhvendosura në Hadhramout, 70 në Al Mahrah dhe 26 në Shabëa.

Ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe lokale të ofrojnë “ndihmë urgjente për shpëtimin e jetëve” për personat e zhvendosur, duke paralajmëruar se vonesat në reagim mund të “përkeqësojnë krizën dhe të rrisin presionin mbi komunitetet pritëse”.

Rritja e numrit të të zhvendosurve vjen mes një përshkallëzimi të gjerë ushtarak përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit dhe në zona të provincës Taiz, ku Houthit kanë avancuar dhe kanë marrë nën kontroll pozicione që më parë mbaheshin nga forcat qeveritare.

Luftimet kanë rifilluar në disa fronte në Taiz, Marib dhe Al Jawf në veri, si dhe në Al Bayda në pjesën qendrore të Jemenit, mes një përshkallëzimi ushtarak që filloi në fillim të korrikut, më i rëndi që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga OKB-ja në prill të vitit 2022.

Luftimet u intensifikuan në shtator, ndërsa Houthit morën nën kontroll disa pozicione strategjike në provincat Al-Hudaydah dhe Taiz, përfshirë qytetin strategjik Mokha, duke e shtrirë kontrollin deri në ishullin Mayun në Ngushticën Bab al-Mandab.

Jemeni ndodhet në luftë që nga shtatori i vitit 2014, kur Houthit morën nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa provinca, përpara se një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars të vitit 2015 në mbështetje të qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht.

Related posts

55 vjeçarja, u shpëtua pas 122 orësh nga rrënojat

admin

Izraeli dhe Hezbollahu sulmojnë njëri-tjetrin me raketa e dronë

admin

Iran, kapet një grup i lidhur me Organizatën e Muxhahidëve të Popullit (MEK)

admin