Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së, përgjegjës për çështjet humanitare dhe Koordinator i ndihmës emergjente, Martin Griffiths, paralajmëroi se Rripi i Gazës është bërë “i pabanueshëm” që nga sulmet e 7 tetorit dhe bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës, transmeton Anadolu.
“Tre muaj që nga sulmet e tmerrshme të 7 tetorit, Gaza është bërë një vend i vdekjes dhe dëshpërimit”, tha Griffiths në një deklaratë.
Ai paralajmëroi se një fatkeqësi e shëndetit publik po shpaloset, duke shtuar se uria është afër.
“Gaza është bërë thjesht e pabanueshme. Banorët e saj janë dëshmitarë të kërcënimeve të përditshme ndaj ekzistencës së tyre, ndërkohë që bota e shikon këtë”, theksoi ai.
Griffiths u shpreh se OKB-ja do të vazhdojë të kërkojë përfundimin e menjëhershëm të luftës, jo vetëm për popullin e Gazës dhe fqinjët e saj të kërcënuar, “por për brezat që do të vijnë, të cilët nuk do t’i harrojnë kurrë këto 90 ditë ferri dhe sulme ndaj parimeve më themelore të njerëzimit”.
Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 22.600 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 57.910 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Sulmi e ka lënë Gazën në gërmadha, ku 60 për qind të infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, dhe gati 2 milionë banorë janë zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.