RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gazetarja e REL-it fiton çmim për raportimet për gjenocidin në Srebrenicë

gazetarja-e-rel-it-fiton-cmim-per-raportimet-per-gjenocidin-ne-srebrenice

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë (REL) nga Beogradi, Iva Martinoviq, ka fituar mirënjohjen speciale “Nihad Nino Qatiq” – kushtuar gazetarit që dërgoi reportazhin e fundit nga Srebrenica para se të vritej në gjenocidin që u mori jetën mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Martinoviq u shpërblye për kontributin e saj në përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Në Serbi, tre dekada më vonë, ka gjithnjë e më shumë rezistencë ndaj këtyre temave. Kur flet për këtë, shpesh përballesh me kërcënime, fyerje, indiferencë, madje edhe më shpesh me ndjenjën se po e përsërisësh kot”, tha Martinoviq në qendrën përkujtimore Potoçari.

Çmimi iu dorëzua një ditë para shënimit të 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Vit pas viti, raportet e organizatave ndërkombëtare i bëjnë thirrje Serbisë, përkatësisht autoriteteve në Serbi, të ndalojnë mohimin e gjenocidit, të ndalojnë madhërimin e kriminelëve të luftës dhe gjyqësori të tregojë efikasitet në ndjekjen penale të përgjegjësve. Por, vit pas viti, ndodh pikërisht e kundërta”, tha Martinoviq.

Iva Martinoviq është gazetare shumëvjeçare e REL-it, e cila, veç tjerash, raporton për krimet e luftës, për fajin dhe për përgjegjësinë e krimeve të kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.

Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Related posts

Aksident fatal mes trenit tё udhёtareve dhe njё veture

admin

Palestinezët i frikësohen dhunës ndërsa vendbanimet izraelite zgjerohen

rezart morina

Xhaçka: Dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes

rezart morina