Gazetarja nga Gaza, Huda Naim, thotë se Izraeli synon të dëbojë palestinezët në Egjipt pasi i ka zënë në kurth në rajonin jugor.
“Shumë njerëz shkuan nga veriu në jug me shpresën për të gjetur një zonë të sigurt, por ditët e fundit ne kemi parë se nuk ka vend të sigurt. Civilët janë shënjestruar dhe janë kryer masakra gjithashtu atje”, tha Naim për Anadolu.
Ajo shprehet se Izraeli po përpiqet të lëvizë 2,3 milionë njerëz në një zonë shumë të vogël, fillimisht nga veriu në jug, pastaj nga juglindja në jugperëndim “si kukulla”.
Edhe pse njerëzit e bllokuar në pjesën jugore të Gazës ishin të shqetësuar, ajo tha se ata janë fort të lidhur me vendin e tyre sepse “ata e dinë shumë mirë se çfarë do të ndodhte nëse largohen nga Gaza”.
“Kjo do të jetë e pakthyeshme, ashtu si Nakba në vitin 1948. Nakba nuk mund të ndodhë më. Miliona refugjatë palestinezë që u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre në vitin 1948 nuk mund të kthehen në tokat e tyre. Kjo tragjedi që palestinezët kanë përjetuar për 75 vjet nuk mund të ndodhë më”, shtoi ajo.
Nakba ishte një zhvendosje masive e palestinezëve nga ajo territoret që tani janë pjesë e Izraelit gjatë luftës së vitit 1948.
Duke theksuar se shkollat e OKB-së në Gaza ishin plot dhe nuk mund të pranonin më shumë njerëz, ajo tha se njerëzit që u sulmuan nga Izraeli, gjatë dimrit duhet të luftojnë me urinë, sëmundjet dhe epidemitë.
Gaza ishte një nga qytetet me popullsi më të dendur në botë përpara sulmeve që filluan më 7 tetor, tha ajo, duke shtuar: “Është e papranueshme mendërisht që 80 njerëz të jetojnë në një shtëpi 100 metra katrorë. Nuk ka ujë, rrymë, gaz, asgjë”.
Ajo theksoi se pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, palestinezët po përpiqen të jenë të durueshëm dhe t’i rezistojnë pushtimit izraelit.
Naim tha se në Gaza ka mungesë të stafit dhe pajisjeve mjekësore, veçanërisht mjekëve, duke shtuar se operacionet për trajtimin e plagëve nuk mund të kryhen.
Teksa Izraeli po përpiqet t’i cilësojë palestinezët si “kafshë njerëzore”, Naim tha se këta njerëz nuk janë thjesht numra, duke shtuar se të gjithë në Gaza kanë një histori unike.
“Ne të gjithë jemi bërë prej mishi, kockave, ambicieve dhe ëndrrave. Një person në Gaza meriton të jetojë dhe të ketë një jetë të mirë dhe të zotërojë tokën e tij si një person në SHBA”, tha ajo.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 18.608 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.