RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Gënjeshtra e Vuçiqit për CNN: Serbia i zbatoi të gjitha obligimet ndërkombëtare, Kosova asnjë

genjeshtra-e-vuciqit-per-cnn:-serbia-i-zbatoi-te-gjitha-obligimet-nderkombetare,-kosova-asnje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë për rrjetin amerikan CNN, se, pala serbe i ka zbatuar të gjitha obligimet ndërkombëtare që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se Kosova nuk e ka përmbushur një që i ka takuar – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vuçiq ka pretenduar se prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ardhur në pushtet, janë kryer 353 sulme ndaj serbëve, të motivuara në baza entie, dhe se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Vetëm këtë vit, janë kryer pesë sulme me të shtëna ndaj civilëve të nacionalitetit serb. Serbët vetëm duan siguri për veten dhe familjet e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Siç transmeton REL, Vuçiq e ka mohuar akuzën e Kurtit se ai i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe e ka pyetur nëse ka parë diku zgjedhje legjitime demokratike, me pak më shumë se 3 për qind dalje në zgjedhje.

Vuçiq ka thënë se Serbia është e kënaqur me deklaratat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lidhur me krizën në Kosovë.

Sekretari Blinken ka thënë se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin, derisa Macron ka thënë se Kosova është përgjegjëse për trazirat e shkaktuara.

Sipas tij, Serbia nuk e ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në reagimin e saj ndaj krizës.

“Ne e kemi respektuar Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me ushtarë. Deri më tani ne kemi pasur bashkëpunim profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.

I pyetur se si i komenton protestat e qytetarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“E di se ata janë të vendosur që t’i mbrojnë vatrat e tyre dhe unë u bëj thirrje që të protestojnë në mënyre paqësore”.

Related posts

Në Mitrovicë shfaqen posterët ‘Putini në Kosovë’

admin

Një orë e gjysmë pritje në dalje të pikës kufitare në Merdare, kolona arrin 1 kilometër

admin

“Më shumë sesa thjesht shtrëngime duarsh”/ VOA: Çfarë pritet nga vizita e Presidentit Putin në Korenë e Veriut?

admin